Rritja e inflacionit për 4.2 për qind barrë shtesë për familjet me paga mesatare

Rritja e inflacionit për 4.2 për qind barrë shtesë për familjet me paga mesatare

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK), është më i lartë në një mesatare prej 4.2 për qind në muajin shtator të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, pra gusht të vitit të kaluar, shkruan Gazeta “Enigma”.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni mujor shënoi një rënie prej -0.2% në krahasim me gushtin 2025. Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimit në disa kategori të mallrave dhe shërbimeve.

Ndër to, çmimet e pushimeve të organizuara u rritën me 23.1%, biletat e fluturimeve me 22.5%, energjia elektrike me 17.4%, kafeja, çaji dhe kakaoja me 14.2%, si dhe pemët me 13.0%.

Rritje të ndjeshme kanë pasur edhe mishi (12.1%), qumështi, djathi dhe vezët (8.8%), shërbimet hoteliere (8.3%), dhe vajrat e yndyrat (6.8%).

Në anën tjetër, rënie e çmimeve është regjistruar te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me -3.1%, duke ndikuar me -0.2 për qind në indeksin e përgjithshëm. Në krahasim me muajin gusht 2025, çmimet mesatare të konsumit në shtator ranë për 0.2%.

Kjo rënie mujore është shpjeguar me uljen e çmimeve te karburantet dhe lubrifikantët (-3.6%), pemët (-2.8%), biletat e fluturimeve (-1.6%), dhe energjinë elektrike (-1.2%).

Megjithatë, disa kategori shënuan ngritje, përfshirë lëndët djegëse të ngurta si druri e peletët (1.4%), qumështin, djathin dhe vezët (1.1%), blerjen e automjeteve (0.6%) dhe shërbimet hoteliere (0.4%). ASK bën të ditur se këto luhatje të çmimeve ndikojnë drejtpërdrejt në normën mujore dhe vjetore të inflacionit, e cila matet përmes indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK).

Barrë e shtuar për qytetarët

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, ka theksuar se mesatarja e çmimeve të shportës së konsumatorit sipas ASK-së shihet se kjo rritje është shumë më e lartë se 4 për qind, ato e kalojnë 10 përqindëshin.

Në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, Shatri tha se kjo rritje ka shkaktuar probleme në furnizim tek familjet me pagë mesatare, e sidomos tek ato me paga nën mesatare.

Sipas tij Qeveria nuk mund të ndërmarr asnjë hap në këtë drejtim pasi s’ka kurrfarë fuqie me vendos, është dashtë të veproj më herët në kohën sa ishte me mandat të plotë.

“ASK ka publikuar rezultatin lëvizjes së çmimeve për muajin e kaluar dhe ka dalë që 4.2 për qind ka pas rritje në krahasim me të njëjtin muaj nga viti i kaluar. Por mesatarja e rritjes së muajve të këtij viti është rreth 4 për qind që i bëri në krahasim me vitin e kaluar shkalla e inflacionit ka qenë më e ulët, ndërsa këtë vit është ngritur për gjysmë më shumë , kjo ka shkaktuar probleme te familjet në furnizim”, deklaroi Shatri për “Enigmën”.

Tutje ai ka theksuar se “ajo që është më shqetësuese është mesatarja e çmimeve të artikujve të shportës së konsumatorit, ku sipas të dhënave të statistikave të ASK shihet që ato janë shumë më të larta sesa 4 për qind, e kalojnë 10 përqindëshin”.

“Ndarja e 100 eurove nga Qeveria ishin vitra për studentët”

“Çmimet e artikujve të domosdoshëm janë shumë më të larta, kjo nënkupton se ka rënie të standardit jetësor, sidomos në familjet me paga mesatare dhe me paga nën mesatare. Qeveria nuk mundet me bë asgjë sepse s’ka kurrfarë fuqie me vendos, është deshtë me bë qe 4 vite që kanë pasur mandat të plotë, e tash po ndajnë vitra para zgjedhjeve, ato s’janë asgjë sepse 100 si ndihmojnë asgjë një studenti. Ato munden me shërbye nja dy ose tri ditë me rrit standardin”, tha ish-ministri i Ekonomisë për Gazetën “Enigma”.

Sipas tij “Politika ekonomike duhet të veprojë në ato masa të shumta që kanë kompetencë dhe duhet të i shfrytëzojnë si duhet parat që i kanë në dispozicion, paranë publike të buxhetit e jo me i ngujua parat në të gjitha drejtimet”, tha Shatri.

Institucionet të veprojnë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me statistikat e fundit të ASK-së ku tregojnë rritjen e Inflacionit për 4.2 për qind.

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve, Besart Dreshaj, thotë se rritja e inflacionit ishte e paralajmëruar, institucionet duhet të veprojnë.

Dreshaj në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se mungesa e masave konkrete nga institucionet ka ndikuar në përkeqësimin e kushteve ekonomike për bizneset dhe qytetarët.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar pas publikimit të të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ku inflacioni ka shënuar rritje prej 4.2 për qind. LBK thekson se një situatë e tillë ishte e paralajmëruar që më herët, duke vlerësuar se mungesa e masave konkrete nga institucionet ka ndikuar në përkeqësimin e kushteve ekonomike për bizneset dhe qytetarët”, tha ai.

Tutje Dreshaj theksoi se “këta si LBK kemi paralajmëruar se rritja e çmimeve, e ndikuar nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, do të krijojë presion shtesë mbi bizneset vendore. Për fat të keq, këto paralajmërime nuk janë marrë seriozisht”.

Lidhja apelon që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa të menjëhershme stabilizuese, përfshirë: mbështetje fiskale për bizneset prodhuese, dhe politika që nxisin prodhimin vendor.

“Ekonomia vendore ka nevojë për stabilitet, parashikueshmëri dhe partneritet real mes institucioneve dhe sektorit privat,” deklaroi Dreshaj për “Enigmën”.

A ka rritje të çmimit të derivateve?

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha se ka pasur rritje të çmimit në berza ndërkombëtare, por çmimi me pakicë nuk ka ndryshuar.

Berjani tha për “Enigmën se tani e dy muaj i kemi çmimet e njëjta në Kosovë, duke shtuar se Kosova aktualisht i ka çmimet më të lira në rajon.

“Çmimet e derivateve të naftës në Kosovë sillen me këto çmime; Dizelli 1.17 cent deri në 1.26 cent; ndërsa Benzina nga 1.18 cent deri në 1.17 cent”, tha Berjani.

Tutje ai ka shtuar se “Këto çmime i kemi mbi dy muaj edhe pse ka pasur rritje në berza ndërkombëtare, por çmime me pakicë nuk ka ndryshuar”.

Berjani ka theksuar se “Kosova aktualisht i ka çmimet më të lira në rajon”. /Gazeta Enigma/

Related Articles