11 komuna ende pa buxhet, Ibrahimi: Kjo situatë është reflektim i rrethanave të jashtëzakonshme

11 komuna ende pa buxhet, Ibrahimi: Kjo situatë është reflektim i rrethanave të jashtëzakonshme

11 komuna në Kosovë ende nuk e kanë miratuar buxhetin për vitin fiskal si pasojë e bllokadës institucionale, shkruan Gazeta “Enigma”.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, tha se aktualisht pa buxhet janë Vitia, Lipjani, Vushtrria, Malisheva, Shtimja, Juniku, Zubin Potoku, Gjilani, Prizreni, Prishtina dhe Suhareka.  

Ibrahimi në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se e gjithë kjo çështje ka ndikuar në funksionimin e kuvendeve komunale dhe procesin e miratimit të buxheteve. Po ashtu kjo situatë është reflektim edhe i rrethanave të jashtëzakonshme pasi aktualisht vendi ynë ende është në proces zgjedhor.

“Kjo situatë është reflektim i rrethanave të jashtëzakonshme, pasi vendi është në proces zgjedhor, ndërsa më 09 nëntor mbahet edhe balotazhi në disa komuna, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e kuvendeve komunale dhe procesin e miratimit të buxheteve”, tha Ibrahimi për ‘Enigmën”.

Sipas tij “është me rëndësi të theksohet se, edhe pse këto komuna nuk e kanë miratuar ende buxhetin, nëse ato i miratojnë buxhetet e tyre përpara se Kuvendi i Kosovës të mbajë seancën për miratimin e buxhetit të shtetit, ekziston mundësia që këto buxhete të përfshihen dhe të miratohen bashkërisht me buxhetin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës”.

“Ky hap është thelbësor për të shmangur pasojat e financimit me 1/12, për të siguruar vazhdimësinë e projekteve kapitale dhe për të garantuar ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët”, deklaroi ai.

Kujtojmë se vendi humbi edhe 882 milion euro nga Komisioni Evropian nga pagesat e reja për Ballkanin Perëndimor, si pasojë e mos miratimit në Kuvendin e Kosovës. /Gazeta Enigma/

Related Articles