Presidentja e vendit,Vjosa Osmani, ka reaguar pas dyshimit se një serb i Kosovës është plagosur e më pas edhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe, raporton Gazeta “Enigma”.
Osmani përmes një reagimi në Facebook, e para e shtetit thotë se ky rast është dëshmi shtesë e qasjes hegjemoniste të Serbisë, e që sipas saj, çdo qytetarë që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Aleksandar Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme.
Po ashtu, presidentja bëri thirrje që skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e vendit nga tendenca të tilla.
“Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Ndërkaq skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla”, tha tutje Osmani.
