“Katastrofa që ndodhi në diskotekën Pulse në Koçan nuk u shkaktua vetëm nga gabimet e një dore njerëzore… Kjo ngjarje nuk ishte aksident apo lojë e rastësishme e fatit. Bëhet fjalë për një rrjet të tërë dhe një seri gabimesh të lidhura, një zinxhir i mbylljes së syve”.
Këto ishin pjesë e fjalëve hyrëse me të cilat prokurori i Koçanit, Borçe Janev, më 19 nëntor prezantoi aktakuzën në seancën e parë të gjyqësore për zjarrin në diskotekë, që la 63 viktima dhe mbi 200 të lënduar.
Ai tha se për vite me radhë, ose më saktë, gjithmonë, klubi Pulse ka qenë një “kurth vdekjeje” dhe një “fuçi baruti”.
Prezantimi i tij i detajuar për ngjarjen tragjike që ndodhi natën mes 15 dhe 16 marsit dhe rrethanat që çuan deri tek ajo, u ndoq në sallën e gjyqit, përveç nga të akuzuarit, edhe nga shumica e prindërve të viktimave.
Pronari i diskotekës Pulse, i cili është ndër të akuzuarit, sipas fjalëve të prokurorit, kurrë nuk ka treguar interes për sigurinë dhe për vite me radhë ka shmangur pengesat institucionale.
Numri total i të akuzuarve në këtë proces gjyqësor është 35 persona dhe tri kompani. Ndër ta janë edhe ish-ministra të ekonomisë, ish-kryebashkiakë të Koçanit, inspektorë dhe zyrtarë të tjerë.
“Farat e kësaj katastrofe të paprecedentë ishin hedhur prej kohësh. Provat do të tregojnë se rreziku që kishte ekzistuar për vite me radhë askush nga këta të akuzuar nuk ka dashur ta shohë. Megjithatë, ata duhej, ishin të detyruar dhe kishin përgjegjësi ta shihnin dhe ta parandalonin”, tha ndër të tjera Janev.
Sipas prokurorit, nëse objekti ku ishte i vendosur klubi i natës do të kishte përmbushur standardet, “zjarri do të kujtohej si një incident i rrezikshëm, por jo si një varrezë masive”.
Fjalët e tij hyrëse u pritën me duartrokitje nga prindërit dhe të afërmit e viktimave dhe të lënduarve, duke shënuar përfundimin e seancës së parë gjyqësore.
Janev është një nga 10 prokurorët që morën pjesë në seancë. Në total, siç është paralajmëruar, aktakuzën do ta mbrojnë 15 prokurorë, varësisht nga pjesa e hetimit ku ka punuar secili prej tyre.
Gjyqi do të vazhdojë të martën, më 25 nëntor, me deklarimin e të akuzuarve lidhur me aktakuzën dhe fjalët hyrëse të mbrojtjes.
Kërkesa për shtyrje dhe skepticizmi te familjarët e viktimave
Procesi gjyqësor për zjarrin në Koçan po zhvillohet në sallën më të madhe të gjykatës në Maqedoninë e Veriut, e ndërtuar pranë burgut të Idrizovës, në periferi të Shkupit.
Të akuzuarit, avokatët, prokurorët, të afërmit dhe gazetarët që nga orët e para të mëngjesit të 19 nëntorit e mbushën sallën.
Në sallë ishin edhe disa nga të lënduarit, ndërsa disa të afërm mbanin bluza me fotografitë e viktimave.
Bëhet fjalë për një çështje të gjerë, jo vetëm për numrin e mbrojtësve, por edhe për periudhën kohore që përfshin – 13 vjetët e fundit.
Dhe para se të prezantohej aktakuza me fjalët hyrëse të Prokurorisë, u deshën disa orë që gjykata të regjistronte të gjithë të pranishmit dhe të evidentonte mbrojtjen e të gjithë palëve të përfshira.
Për më tepër, para fjalëve hyrëse, pothuajse të gjithë avokatët e të akuzuarve kërkuan ndërprerje të seancës të së mërkurës.
Megjithatë, trupi gjykues nuk e pranoi kërkesën e tyre dhe nuk lejoi shtyrjen e gjyqit. U sugjerua që pjesë të vërejtjeve të dorëzoheshin në seancën e ardhshme kur ata do të kenë fjalën hyrëse.
Avokatët si arsye për shtyrje e përmendën bashkimin e dy procedurave gjyqësore, domethënë faktin që në çështjen fillestare me 34 të akuzuar dhe tri kompani u shtua edhe rasti me agjencinë Rubikon, e cila ishte përgjegjëse për sigurimin e diskotekës Pulse. Me këtë, numri total i të akuzuarve në këtë çështje u bë 35 persona dhe tri kompani. Kështu, nga dy, u krijua një aktakuzë e integruar.
Si argument të dytë, avokatët përmendën se me bashkimin e dy procedurave, prokurorët dorëzuan edhe një listë të rishikuar të provave dhe dëshmitarëve.
“Duke pasur parasysh bashkimin e aktakuzave, dhe duke marrë parasysh që prokuroria ka paralajmëruar reduktim të provave, ekziston një pengesë për mbrojtjen që të prononcohet mbi provat. Në këtë kuptim, kërkoj nga gjykata të na mundësojë qasje në aktakuzën e re dhe listën e reduktuar të provave, me një periudhë shtesë kohore për të dorëzuar plotësime të listës së provave”, tha njëri nga avokatët.
Prokurorët, nga ana tjetër, ishin kundër shtyrjes duke thënë se, në thelb, nuk ka asnjë ndryshim.
“Asgjë nuk është ndryshuar në thelb në veprimet e të akuzuarve, as në kualifikimin ligjor, dhe nuk bëhet fjalë për dorëzimin e një liste të re provash që të ishte e panjohur për mbrojtjen”, tha prokurori Borçe Janev.
Kërkesat e tilla, nga ana tjetër, shkaktuan skepticizëm te prindërit e viktimave.
“Që në fillim të seancës gjyqësore po përballemi me një skepticizëm të madh dhe shohim një lojë, një skemë nga përfaqësuesit e avokatëve dhe të akuzuarve që manipulojnë në mënyra të ndryshme për të thelluar edhe më shumë dhimbjen tonë”, tha Toma Stojanov, babai i viktimës Andrej Stojanov.
Ai shtoi se ndihen të manipuluar dhe frikësohen se do t’i ndodhë e njëjta fatkeqësi si familjeve në procese të tjera gjyqësore, duke përmendur rastet e aksidenteve me autobusët e kompanive Durmo Turs pranë Laskarcit të Shkupit më 2019 dhe Besa Trans në Bullgari më 2021, si dhe zjarrin në spitalin modular në Tetovë më 2021.
Vërejtjet dhe reagimet e familjeve për këto raste ishin se proceset zgjatën shumë dhe nuk u përcaktua përgjegjësia e plotë.
Në rastin e Koçanit, në fillim të gjyqit, gjykatësja Diana Gruevska-Ilievska, e cila po e udhëheq procesin, tha se trupi gjykues mund të garantojë transparencë dhe profesionalizëm, por nuk pranoi të thotë se kur do të përfundojë gjyqi.
“E di për dhimbjen, të gjithë këtu jemi prindër, do të kemi respekt për dhimbjen dhe pikëllimin, por ne jemi profesionistë dhe duhet të respektojmë të drejtat e të gjithëve. Nuk mund t’ju garantojmë shpejtësi në gjyq, por do të bëjmë gjithçka që procesi të zhvillohet pa pengesa… Sa do të zgjasë, askush nuk e di. A do të zgjasë pesë muaj apo pesë vjet, askush nuk e di. Le të mos paragjykojmë”, tha gjykatësja duke iu drejtuar palëve të pranishme dhe prindërve.
Kush janë të akuzuarit?
Procesi gjyqësor fillon rreth tetë muaj pas tragjedisë. Familjet e viktimave çdo të shtunë organizonin “Marsh për engjëjt” nëpër Koçan duke kërkuar drejtësi. Në prag të gjyqit, ata marshuan edhe në Shkup ku morën mbështetje nga mijëra qytetarë.
Tragjedia në Koçan ndodhi natën mes 15 dhe 16 marsit, gjatë një performancë të grupit muzikor DNK – shkëndijat nga piroteknika bën që flakët të kaplonin tavanin e diskotekës, zjarri u përhap shpejt, ndërsa paniku dhe dalje e ngushtë shkaktuan që shumë njerëz të shtypeshin.
Sipas aktakuzës, objekti nuk përmbushte as kushtet minimale teknike për aktivitetin e gastronomisë, nuk kishte leje për rikonstruksion, nuk kishte projekt bazik për rikonstruksion, s’kishte mbrojtje nga zjarri, shpërthimet dhe substancat e rrezikshme, si dhe nuk ishte hartuar plan dhe vlerësim për mbrojtje dhe shpëtim.
Nga 35 të akuzuarit, tre prej tyre janë persona përgjegjës, pronarë dhe menaxherë të kompanisë CLASSIC DM – Koçani me një degë Cabaret PULS dhe kompanisë MMMM CAFE – Koçani, të cilat kanë drejtuar një biznes ushqimi në objektin fatal që nga dhjetori i vitit 2012.
Ndër të akuzuarit është edhe vëllai i pronarit të diskotekës, i cili, sipasPprokurorisë, ishte përgjegjës për shitjen e biletave dhe kontrollin e numrit të vizitorëve dhe moshën e tyre.
Në Pulse, natën fatale, sipas vlerësimit të prokurorisë, kishte mbi 500 persona.
Tre kryetarë të bashkisë së Koçanit do të akuzohen gjithashtu. Ljupço Papazov (VMRO-DPMNE), i cili ishte në detyrë në kohën e tragjedisë, si dhe paraardhësit e tij Nikolço Iliev (LSDM) dhe Ratko Dimitrovski (VMRO-DPMNE).
Sipas prokurorisë, ata e dinin që klubi i natës Pulse ekzistonte në qytet, por nuk bënë asgjë, përkatësisht, vendi nuk ishte i regjistruar në regjistrin e komunës në përputhje me Ligjin për Veprimtari Hoteliere. Ata, siç pretendon prokuroria, i mundësuan lokalit të funksiononte dhe pronarit të paguante një tarifë për kryerjen e aktiviteteve hoteliere.
Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini, ish-ministra të Ekonomisë, akuzohen gjithashtu.
Lista përfshin gjithashtu një sekretar shteti dhe pesë zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë, e cila është përgjegjëse për lëshimin e licencave për klubet e natës.
Në mesin e të akuzuarve është edhe ministri aktual pa portofol në Qeveri, Shaban Saliu , i cili po ndiqet penalisht si ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, së bashku me tre ish-drejtorë të tjerë, si dhe një inspektor të përgjithshëm i cili ishte kreu i shërbimit të inspektimit në Shërbimin e Sigurisë Shtetërore.
Çështja, sipas një vendimi të Gjykatës Supreme, iu caktua Gjykatës Themelore Penale të Shkupit sepse gjykatat në Shtip dhe Strumicë nuk kanë numër të mjaftueshëm gjyqtarësh në çështjet penale.
Por, edhe sepse Gjykata Supreme besonte se çështja duhet të trajtohet nga “gjyqtarë me përvojë dhe njohuri të fituara për çështjet penale, të cilët do të mundësojnë procedura efikase, profesionale dhe ligjore, dhe në të njëjtën kohë do të kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit publik”.
