48 orë vendimtare për arrestimin e Mogherinit

48 orë vendimtare për arrestimin e Mogherinit

Autoritetet belge kanë ndaluar ish-shefen e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si edhe ish-zyrtarin e lartë të shërbimit të jashtëm të BE-së, Stefano Sannino, si pjesë e një hetimi për mashtrim dhe shkelje të rregullave të tenderimit, raportoi Politico, duke iu referuar burimeve të afërta me çështjen.

Sipas këtyre burimeve, policia belge kreu të martën bastisje në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), në ndërtesa të Kolegjit të Evropës në Bruges, si edhe në banesa private.

“Kontrollet u kryen me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO)”, bëri të ditur institucioni në një deklaratë, ku theksohej se dyshohet për shkelje të rregullave të “konkurrencës së ndershme” në dhënien e tenderit për ngritjen e Akademisë Diplomatike të BE-së.

Burime brenda EEAS-it konfirmuan se bastisjet u zhvilluan në ndërtesën administrative të institucionit në Rue d’Arlon 62, ku “punonjësve iu kërkua të linin ambientet dhe të linin zyrat e hapura”. Sipas një zyrtari të lartë të BE-së, hetimi lidhet me periudhën para se Kaja Kallas të merrte drejtimin e politikës së jashtme.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, deklaroi se policia kishte kontrolluar EEAS-in si pjesë e një “hetimi të vazhdueshëm mbi aktivitetet që kanë ndodhur në mandatin e mëparshëm”, por refuzoi të japë detaje mbi të ndaluarit.

EPPO njoftoi gjithashtu se para nisjes së hetimit kishte kërkuar heqjen e imunitetit diplomatik për “disa të dyshuar”, kërkesë që ishte miratuar. Gjyqtari hetues ka tashmë 48 orë kohë për të vendosur hapat e mëtejshëm.

Related Articles