Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, të mërkurën e 3 dhjetorit sulmoi ashpër disa media të Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”. Për pasojë po kërkohet dorëheqja apo përjashtimi i tij nga KQZ, ndonëse nga LVV-ja nuk janë deklaruar për këtë.
Përmes një postimi në Facebook Kurteshi ka sulmuar AGK-në që doli në mbrojtje të gazetarëve nga sulmet e tij duke i quajtur ata vrasës me “pagesë”.
“Aleanca e Grupeve Kriminale (AGK) në mbrojtje të vrasësve me pagesë”, shkroi ai mes rreshtave.
“Aleanca e Grupeve Kriminale (AGK), ashtu sipas një tradite të saj rutinë, e tërbuar qenka vënë sërish në mbrojtje të pronarëve të altoparlantëve të krimit të organizuar dhe dezinformimit – VRASËSVE me PAGESË – me emrat si „Vox“, „periskopi.com“, „Klan-tv“, „gazetaexpress.com“, „telegrafi.com“, „reporteri.net“, „insajderi.com“, „paparaci.com“ e ndonjë tjetër të ngjashme”, ka shkrua Kurteshi.
Tutje ai ka deklaruar se “aleanca e grupeve kriminale, lutjen e zëshme e të qartë shqip për respektim të hapësirës së punës për KQZ dhe të mediave, e kualifikon si „pengon fizikisht gazetarët“ dhe shprehet e „shokuar me sjelljen agresive dhe dënon ashpër cenimin fizik të gazetarëve“ nga unë, Sami Kurteshi, anëtar i KQZ”.

“Media është shtylla e katërt e demokracisë”
Pas lajmeve të shumta për sulmin e Kurteshit ndaj AGK-së, mediave dhe gazetarëve kanë reaguar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ambasada gjermane, ku kanë dënuar ashpër gjuhen e përdorur nga anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi drejtuar mediave.
“Liria e medias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike – BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e saj”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndërsa në mesazhin e Ambasadës gjermane thuhej se “le të punojmë së bashku për të siguruar që media të mbetet një kujdestare e besueshme e së vërtetës”.
Ndaj gjuhës së Kurteshit ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve.
Sekretari i përgjithshëm i saj, Ricardo Gutierrez, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë që të marrë masa. Gutierrez i ka kërkuar Albin Kurtit që ta ndalojë një gjuhë të tillë nga partia e tij, teksa ka theksuar se është përgjegjësi e tij “t’i japë fund praktikave të tilla mafioze”.
AGK fton LVV, Kurtin e Osmanin që të konsiderojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni i tij në KQZ
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar lidhur me deklarimet e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, kundrejt disa gazetarëve. Kjo organizatë i ka cilësuar si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme gjuhën e përdorur nga ai.
“AGK dënon fuqishëm gjuhën e papërgjegjshme, sulmuese dhe shumë të rrezikshme të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi, nga partia politike Vetëvendosje. Këto akuza, përveç që janë të pabaza, paraqesin rrezik real për sulme të mundshme në të ardhmen ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të mediave në punën e tyre profesionale në terren”.
“Deklaratat nxitëse të urrejtjes të z. Kurteshi janë vazhdimësi e një fushate linçuese ndaj gazetarëve, me qëllim frikësimin e tyre dhe minimin e lirisë së medias në vend”.
“AGK-ja e fton Vetëvendosjen, liderin e saj Albin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, që të konsiderojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni i tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”.
“Kjo çka po ndodh është mjërim”
Ish-deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në një përgjigjë për Gazetën “Enigma” tha nuk është hera e parë që gazetarët sulmohen nga kjo përfaqësuesit e LVV-së.
Tutje ajo ka theksuar se këto sulme janë të papranueshme.
“Nuk është hera e parë që sulmohen gazetarët, që fyfen gazetarët këtë e kanë bërë në vazhdimsi kjo Qeveria edhe ndaj mediave duke mos shkuar në debate televizive dhe duke I akuzuar”, deklaroi Kadrijaj.
“Këto sulme janë të papranueshme. Ju e keni parë edhe nga raportet e organiztave kredibile nje prej vrejtjeve që e kanë pasur për Qeverinë e Kosovës, sulmin ndaj mediave të Kosovës nuk duhet të tolerohet”, tha ajo.
“Jemi duke e parë që kjo është një fushatë jo vec ndaj mediave por ndaj cdo institucioni që ata e konsiderojnë që nuk është në përkrahje të tyre ose të politikave të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo cka po ndodh është mjerim”, deklaroi Kadrijaj për “Enigmën”.
“Kosova vitin tjetër do të renditet edhe më keq në raportet ndërkombëtare”
“Në një shtet funksional, lajmi i këtij mëngjesi do të duhej të ishte: VV e largon nga detyra Sami Kurteshin. Por, po ndodh e kundërta”, tha Festim Kabashi nga LDK.
Përmes një postimi në Facebook ai e ka quajtur “tejet të ulët dhe të dënueshëm” sulmin e rëndë ndaj mediave të Sami Kurteshit, anëtari i Vetëvendosjes në KQZ.
Kabashi, gjuhën e Kurteshit për gazetarët si “vrasës me pagesë”, e sheh edhe si alarm se Kosova do të renditet edhe më keq ndërkombëtarisht siç ishte rasti me raportin e Reporterëve Pa Kufinj.
“Është tejet i ulët, i papranueshëm dhe i dënueshëm sulmi brutal i Sami Kurteshit ndaj AGK-së, organizatës më kredibile të gazetarëve të Kosovës. Sulmi ndaj AGK-së nënkupton sulm ndaj qindra gazetarëve që përfaqësohen nga ky Asociacion, rrjedhimisht cenim serioz ndaj lirisë së medias, një prej shtyllave kryesore të funksionimit të shtetit demokratik”, ka shkruar Kabashi.
“Sulmet e vazhdueshme të këtij ish-pushteti janë alarm se Kosova vitin tjetër do të renditet edhe më keq në raportet ndërkombëtare.Këto media që sot etiketohen si “vrasës me pagesë” janë të njëjtat që zbuluan, jo shumë vite më parë, skandale të shumta, të cilat partia e Kurteshit i shndërroi në kauza politike. Andaj, sot nuk kanë ndërruar mediat, por kanë ndërruar interesat e Vetëvendosjes”. /Gazeta Enigma/


