AUV konfirmon praninë e bakterit “Bacillus Cereus” në qumështin për foshnja Aptamil

AUV konfirmon praninë e bakterit “Bacillus Cereus” në qumështin për foshnja Aptamil

Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë i Komisionit Evropian (Rapid Alert System for Food and Feed – RASFF) ka njoftuar se në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut është shpërndarë një ushqim për foshnja i kontaminuar me bakterin e rrezikshëm “Bacillus Cereus”.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes një përgjigje me shkrim për Periskopin, ka treguar se bëhet fjalë për produktin e qumështit “Aptamil”, ku është identifikuar prania e bakterit “Bacillus Cereus”.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me një produkt ushqimor, qumështin APTAMIL, në të cilin është identifikuar prania e bakterit ‘Bacillus Cereus’”, thuhet në përgjigje.

AUV-i ka theksuar se janë duke bashkëpunuar me kompaninë importuese për asgjësimin e produktit.

“Dhe është duke u marrë me rastin në fjalë në bashkëpunim me kompaninë importuese për grumbullimin dhe asgjësimin e këtij produkti”, thuhet në përgjigje.

Sipas Ligjit për Ushqimin (Nr. 08/L-120), Agjencia e Ushqimit është e obliguar të informojë menjëherë konsumatorët në rast rreziku. Neni 6 i këtij ligji përcakton qartë se “në rast të rrezikut nga ndonjë ushqim, Agjencia ka për obligim ta njoftojë publikun, institucionet shtetërore dhe palët e interesit”.

Sipas njoftimit zyrtar të RASFF-it, produkti “infant food” është prodhuar në Holandë dhe është shpërndarë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian (BE), si dhe në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, raporton Periskopi.

Nga analizat laboratorike të kryera në Holandë, është konstatuar prania e bakterit “Bacillus Cereus” në nivel prej 580 cfu/gr.

Related Articles