Gërvalla në “gjumë” – Heqja e masave nga BE dhe katër njohje të reja falë angazhimit të presidentes Osmani

Gërvalla në “gjumë” – Heqja e masave nga BE dhe katër njohje të reja falë angazhimit të presidentes Osmani


Politika e jashtme e Republikës së Kosovës dhe roli i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbeten ndër shtyllat kryesore për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit, sidomos në një kohë kur Kosova përballet me sfida të vazhdueshme diplomatike, ku pritjet ndaj kësaj ministrie kanë qenë të larta, veçanërisht në drejtim të sigurimit të njohjeve të reja shtetërore dhe avancimit të marrëdhënieve strategjike me partnerët ndërkombëtarë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Megjithatë, vlerësimet e njohësve të fushës tregojnë pakënaqësi lidhur me rezultatet konkrete të arritura deri më tani.

Emir Abrashi, nga organizata joqeveritare Demokracia Plus, ka deklaruar se Ministria e Punëve të Jashtme ka shërbyer ekskluzivisht si Ministri e Diasporës.
Sipas Abrashit kjo ministri po ashtu nuk ka pasur fokus dhe thellim të marrëdhënieve me shtetet aleate, as me ato që nuk na njohin. “Nuk ka pasur takime të nivelit të lartë as kryeministri as kryediplomatja e Kosovës”.

“Nga kjo që kam arritur të monitoroj këto pesë vitet e fundit që prej se është fuzionuar Ministria e Punëve të Jashtme me Ministrinë e Diasporës në lidershipin veçanërisht të zonjës Gërvalla Ministria e Punëve të Jashtme ka shërbyer ekskluzivisht si Ministri e Diasporës ose 90 për qind e aktivitetit të saj është fokusuar te diaspora”, ka deklaruar Abrashi për “Enigmën”.

Krahas kësaj ai thotë se nuk ka pas fokus real në thellimin e marrëdhënieve me shtete aleate por edhe me ato të cilat nuk na njohin.

“Ka pasur vizita shumë të pakta të përfaqësuesve institucional të Kosovës jashtë vendit e veçanërisht jashtë kontinentit evropian. Kemi pasur një Qeveri e cila ka qenë deri diku e bllokuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka pasur takime të nivelit të lartë as kryeministri as kryediplomatja e Kosovës”, ka theksuar ai.

Marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-në të dëmtuara?

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, tha për Gazetën “Enigma” se marrëdhëniet tona me BE-në dhe SHBA-në në këtë pikë janë si rezultat i Qeverisë Kurti.

Tutje ai ka theksuar se kjo gjendje mund të rregullohet, por jo me Kurtin si kryeministër dhe jo me VV-në në pushtet.

“Marrëdhëniet tona me BE-në dhe SHBA-të sot janë në pikën më të ulët të mundshme. Kjo situatë është prodhuar si rezultat i veprimeve të qeverisë Kurti, e cila nuk ka qenë as bashkëpunuese, as e sinqertë me partnerët tanë strategjikë”, deklaroi ai.

Muhaxheri ka theksuar se “kjo mund të rregullohet, por jo me Kurtin si kryeministër dhe jo me VV-në në pushtet. Derisa të kemi këtë garniturë politike në qeverisje, marrëdhëniet tona me aleatët do të mbeten të brishta, të dobësuara dhe të zhvendosura nga konteksti ndërkombëtar ku Kosova ka pasur gjithmonë miqtë e saj kryesorë”.

Osmani meritore për shumicën e njohjeve

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nuk ka arritur të sigurojë njohje të reja për Kosovën gjatë mandatit të saj.

Njohjet që janë shënuar gjatë pesë viteve të fundit nuk lidhen drejtpërdrejt me angazhimin institucional të ministrisë, por kryesisht me angazhimin personal dhe diplomatik të Presidentes së Republikës.

“Në anën tjetër Kosova për herë të parë që nga përfundimi i luftës është futur në sanksione të cilat tash për fatin e mirë dhe falë angazhimit personal të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të cilën duhet ta potencoj sepse Ministria e Punëve të Jashtme nuk është se është marrë aq sa duhet me këtë temë, këto masa janë hequr tash së fundmi megjithatë e vërteta është se ne për dy vite e gjysmë kemi qenë nën masa të Bashkimit Evropian”, deklaroi Abrashi nga Demokracia Plus.

Suksesi i vetëm katër njohje në 2025-të

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka theksuar për Gazetën Enigma se detyrat e shtëpisë nuk janë kryer me sukses nga kjo ministri.

“Janë një varg dështimesh të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por nga ana tjetër kanë ndodhur ehe disa njohje që kanë jo direkt nga angazhimi i qeverisë por të disa faktorëve tjerë. Detyrat e shtëpisë nuk janë kryer me sukses nga kjo ministri, krejt nga zgjedhjet varet se a mund të dalim nga kjo krizë, përndryshe mund të ndodh që edhe njëherë të shkojmë në zgjedhje në pranverë gjë e cila do ishte tepër shumë për të gjithë”.

Bllokimi i dialogut strategjik

Republika e Kosovës në politikë të jashtme ka dështuar në pesë vitet e fundit tha Abrashi.

Tutje ai ka theksuar se bllokimi i dialogut strategjik nuk është lajm i mirë për një shtet të vogël si Kosova, aq më tepër që nuk jemi shtet plotësisht i njohur ndërkombëtarisht.

“Një shtet i cili është në njëfarë forme produkt i miqësisë dhe i aleancës euroatlantike të futet në sanksione nga Bashkimi Evropian dhe ti pezullohet dialogu strategjik këto absolutisht nuk janë lajmë të mira për një shtet të vogël, e aq më tepër kur kemi të bëjmë me një shtet i cili nuk është plotësisht i njohur ndërkombëtarisht, nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara, nuk është anëtar i shumë mekanizmave ndërkombëtar të cilët shërbejnë si arbitër për zgjidhjen e çështjeve në arenën ndërkombëtare dhe në këtë kuadër kur e marrim fotografinë e plotë më rezulton që Republika e Kosovës në politikë të jashtme ka dështuar në 5 vitet e fundit”, tha Abrashi.

“Pas një serie letrash, paralajmërimesh dhe vërejtjesh nga ana e tyre, ne nuk i kemi kuptuar e as interpretuar drejt. Për pasojë kemi përfunduar në sanksione dhe në pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-të”, deklaroi Muxheri.

Kujtojmë se nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten, e as Bosnje dhe Hercegovina.

Ndërsa, vendet e BE që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës janë: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro. /Gazeta Enigma/

Related Articles