Kosova afër kualifikimit në Botëror, Muriqi: Nëse i fitojmë këto dy ndeshje, do të ishte arritje historike 

Kosova afër kualifikimit në Botëror, Muriqi: Nëse i fitojmë këto dy ndeshje, do të ishte arritje historike 

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur për përballjen e ardhshme ndaj Sllovakisë në “play-off”-in e muajit mars, duke pranuar se kundërshtari shihet si favorit, por duke theksuar se Kosova është gati për një sfidë të madhe.

Në një intervistë për të përditshmen sllovake Šport, 31-vjeçari, i cili aktivizohet te Mallorca në La Liga, tha se reagimet pas shortit ishin të ndryshme edhe në Kosovë, njësoj si në Sllovaki.

“Sllovakia është një ekip i fortë, i organizuar mirë taktikisht dhe shumë i përgatitur edhe në aspektin mendor. Ata do të jenë favoritë, pasi luajnë në shtëpi dhe kanë synim të rikthehen në një turne të madh pas shumë vitesh,” u shpreh Muriqi.

Megjithatë, sulmuesi kosovar theksoi se ky presion mund t’i shërbejë Kosovës: “Ata do të jenë nën presion për rezultat, ndërsa ne do të luajmë si ‘outsider’. Kjo mund të na favorizojë.”

Muriqi foli edhe për rrugëtimin e Kombëtares së Kosovës, duke kujtuar vështirësitë e fillimit në arenën ndërkombëtare. “Në kualifikimet e para humbnim shpesh dhe pësonim shumë gola. Ishte e vështirë psikologjikisht, por me kalimin e kohës u rritëm si ekip. Federata ka bërë shumë për zhvillimin tonë dhe ajo që kemi arritur nuk është rastësi,” tha ai.

Kosova ndodhet vetëm dy ndeshje larg një suksesi historik, kualifikimit në Kupën e Botës. “Nëse i fitojmë këto dy ndeshje, do të ishte arritje historike për vendin tonë. Për këtë arsye, do të japim gjithçka në fushë,” përfundoi Muriqi.

Kujtojmë se Vedat Muriqi ka zhvilluar 66 ndeshje me fanellën e Kosovës, duke realizuar 32 gola, dhe mbetet figura kryesore e “Dardanëve” në prag të këtij dueli vendimtar.

Related Articles