Presidenti/ja – sfida e rradhës e ekzekutivit

Presidenti/ja – sfida e rradhës e ekzekutivit

Për një vit u kërkua unitet nga partitë politike në Kosovë, të cilat s’arritën ta zgjidhnin krizën politike në vend, e cila krijoi vakum institucional përgjatë gjithë vitit që lamë pas. E pak javë pasi u konstituua Kuvendi i Kosovës dhe u miratua ekzekutivi i ri, deputetët sërish janë para një prove uniteti: atë të zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re, shkruan Gazeta Enigma.

Tashmë procesi për zgjedhjen e presidentit ka hyrë në fazën përfundimtare, me rreth dy javë të mbetura deri në skadimin e afatit ligjor më 4 mars. Kuvendi është formuar së fundmi pas një viti vakuum institucional, por nëse procesi për zgjedhjen e presidentit dështon në mungesë unifikimi, Kushtetuta parasheh mundësinë e shpërndarjes së tij dhe organizimit të zgjedhjeve të parakohshme.Në skenën politike tashmë kanë nisur kalkulimet dhe dilemat nëse presidentja aktuale, Vjosa Osmani, do të arrijë ta vazhdojë mandatin edhe për një periudhë tjetër.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se do ta thërrasë seancën plenare sapo në institucion të dorëzohen kandidaturat e vlefshme për këtë post.

Ajo ka theksuar se procedura nuk mund të nisë pa u paraqitur së paku dy kandidatë, të cilët duhet të sigurojnë nga 30 nënshkrime mbështetëse nga deputetët. Sipas saj, para mbajtjes së seancës është e domosdoshme që të zhvillohen bisedime me të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend, me qëllim që procesi të ecë pa pengesa dhe të qartësohen përgjegjësitë politike.

Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti, që udhëheq Lëvizjën Vetëvendosje – subjektin me numrin më të madh të deputetëve – ka paralajmëruar takime me liderët e partive parlamentare për këtë çështje, megjithëse deri tani nuk janë bërë publik hapa konkretë.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmëri për të garuar për një mandat tjetër. Megjithatë, nga kabineti i saj nuk ka pasur sqarime të fundit rreth përpjekjeve për të siguruar votat e nevojshme në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës kërkon marrëveshje dhe konsensus politik para çdo emri gjersa nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se presin vlerësim nga lidershipi partiak.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se Ramush Haradinaj është figura më e denjë për president, i cili mbase do të merrte votën e opozitës në përgjithësi.

“Emri më i konsensual që ish pranu edhe për opozitën do të ishte Ramush Haradinaj. Sepse figura e Haradinajt është një figurë tepër konsensuale ..dhe marrë parasysh kontributin që ka dhënë për shtetin dhe lidhjet e forta që ka me Amerikën, ndoshta do të ishte njeriu më adekuat që do të ishte propozuar”, tha Kadrijaj.

Së fundmi, Ramush Haradinaj dhe dorëheqje nga pozita e kryetarit të AAK-së.

Kërkohet figurë unifikuese

Analisti i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, thotë se bërja e numrave për zgjedhjen e presidentit është e realizueshme.

“Çështja e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës është një proces i rëndësishëm kushtetues që kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend. Deri tani, emri i vetëm që përmendet hapur është ai i Vjosa Osmani, gjë që e bën garën, për momentin, relativisht të qartë në aspektin formal. Sa i përket votave, në dy raundet e para kërkohen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 deputetësh. Nëse ka koordinim politik dhe pjesëmarrje të plotë në votim, arritja e numrave është e realizueshme. Në të kundërtën, nëse procesi dështon, Kushtetuta parasheh shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja parlamentare”, tha ai.

Muhaxheri tha se mund të ketë edhe ndonjë kandidat me profil unifikues nga partitë politike kryesore në vend.

“Për emra të tjerë të mundshëm, zakonisht në këto situata përmenden figura me përvojë institucionale ose me profil unifikues nga partitë kryesore si Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës apo Lidhja Demokratike e Kosovës. Megjithatë, deri tani nuk ka kandidatura të formalizuara nga këto subjekte. Në thelb, procesi pritet të varet nga marrëveshjet politike në Kuvend dhe nga gatishmëria e partive për të ndërtuar një shumicë funksionale për këtë post”, tha ai për Gazetën Enigma.

Analisti politik, Blerim Burjani, ka thënë se situata politike në vend mbetet e paqartë dhe e brishtë, ndërsa procesi për zgjedhjen e Presidentit mund të prodhojë zhvillime të reja nëse nuk arrihet konsensus i gjerë parlamentar.

Sipas tij, aktualisht gjithçka është e paqartë dhe nuk është koha për t’u gëzuar, duke shtuar se edhe vetë kryeministri Albin Kurti e di këtë.

Ai thekson se opozita duhet të ndërtojë një strategji tjetër veprimi ndaj një qeverie që, sipas tij, e mban gjallë minoriteti, duke i cilësuar minoritetet si karta e fundit e sigurisë për Kurtin.

Në këtë kontekst, ai paralajmëron se vendi rrezikon të jetë “shtet i çeltë që vështirë mbahet në këmbë”.

“E konsideroj se gjithçka është e konfuzë dhe nuk është koha për t’u gëzuar. Opozita duhet të ndërtojë një strategji tjetër të veprimit kundër një qeverie që e ka dhe e mban gjallë minoriteti, pra minoritetet mbeten karta e vetme e sigurisë për Kurtin. Ne rrezikojmë të jemi shtet i çeltë që vështirë mbahet në këmbë”, shtoi Burjani.

Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, Burjani shprehet se kryeministri mund të ketë një opsion të dytë nëse dështon rizgjedhja e Vjosa Osmanit.

Sipas tij, edhe pse dihet që nuk i ka votat e opozitës, ai mund të tentojë të negociojë një emër tjetër me opozitën, duke theksuar se kandidatura mund të vijë nga bota akademike, e afërt me VV.

Emra të mundshëm siç thotë ai janë Bashkim Jashari ose Arben Hajrullahu.

“Emër potencial do të jetë Vjosa Osmani. Vjosa Osmanin, edhe pse e din që nuk i ka votat e opozitës, Albin Kurti ka një opcion të dytë që do ta propozojë. Nëse dështon Vjosa, ai do të tentojë të negociojë personin e mundshëm për president me opozitën. Mund të jetë nga bota akademike, i afërt me VV, Bashkim Jashari ose Arben Hajrullahu, rektori aktual”, tha Burjani.

Ndërsa sa i përkët formimit të qeverisë Kurti III, Burjani e përshkruan si qeveri të varfër me numra nga mazhoranca popullore, qeveri pa ekspertë dhe njerëz të padobishëm për veten e tyre e lëre për shtetin.

Sipas tij, qytetarët rrezikojnë të shohin një film të njëjtë për këto vite nëse nuk rrëzohet një qeveri emituese, por pa kapacitete lëvizëse të reformave, duke shtuar se shteti përballet me probleme sociale e ekonomike, pa reformë të administratës publike dhe me pamundësi për integrim në BE.

“Me një qeveri të varfër me numra nga mazhoranca popullore, qeveri pa ekspertë dhe njerëz të padobishëm për veten e tyre e lëre për shtetin, qytetarët rrezikojnë të shohin një film të njëjtë për vite, nëse nuk rrëzohet një qeveri emituese por pa kapacitete lëvizëse të reformave. Shteti është me plot probleme sociale e ekonomike, pa reformë të administratës publike dhe me pamundësi të integrimit në BE. Me këtë subjekt në qeverisje është problematike, përkundër se ka një shumicë që e krijon me minoritetet për të qeverisur”, theksoi Burjani.

Në aspektin kushtetues, nëse Presidenti nuk zgjedhet pas tri raundeve të votimit në Kuvend, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Mandati i Presidentes Osmani përfundon në vitin 2026 dhe dështimi për të siguruar shumicën e nevojshme prej 80 votash në dy raundet e para, apo 61 vota në raundin e tretë, do të hapte rrugën për një krizë të re institucionale./Gazeta Enigma/

Related Articles