Për nderë të 28 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Qeveria e Kosovës mbajti mbledhje solemne të enjten, raporton Gazeta Enigma.
Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti në fjalën e tij tha se kjo ngjarje tronditëse për historinë bashkëkohore, përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen kombëtare dhe bashkimin popullor drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Sot shënojmë përvjetorin e ngjarjes më tronditëse të historisë sonë bashkëkohore, Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe bashkimin tonë popullor drejt lirisë dhe pavarësisë. Historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarje që i hapin shteg të ardhmes. Marsi i vitit 1998 është një ngjarje e atillë. Në Prekaz, me 5, 6 dhe 7 mars 1998, ndodhi një përballje aq e pabarabartë, por me domethënie aq të jashtëzakonshme. Në analet e historisë së Evropës nuk mund të gjendet një rast i vetëm kur për tre ditë e tre net rresht i bën rezistencë një familje liridashëse autoktone, një shteti policor e okupator. Anise familja Jashari ishte rrethuar shumëfish nga mijëra forca të armatosura, të pajisura me makineri të rëndë dhe mjete ushtarake moderne të kohës, ata luftuan e qëndruan deri në fund, duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të gjithë neve”, tha ai.
Kurti theksoi se për familjen Jashari asgjë nuk kishte më shumë rëndësi sesa liria.
“Për këtë familje kishte kuptim vetëm një gjë: liria. Sepse asgjë nuk është e vlefshme sikur ajo. Këtë ngjarje e bën të pavdekshme vendimi i ndërgjegjshëm i familjes për të qëndruar e për të mos u nënshtruar. Burrat, gratë dhe fëmijët vendosën të mos ndaheshin nga kryekomandanti Adem Jashari. Ata qëndruan tok së bashku nga bindja se liria kërkon sakrificë, e cila nis nga vetja. Më 5 mars 1998, të rinjtë e familjes morën pozicionet e tyre me guxim. Gratë dhe vajzat furnizonin me municion pandërprerë. Ishte një qëndresë e organizuar, e vetëdijshme dhe e përbashkët. Kullat e tyre u shndërruan në fortesë, familja në simbol të unitetit dhe vendosmërisë shqiptare, ndërsa Prekazi në kryeqendër të kryengritjes popullore”, theksoi ndër të tjera ai.
Në fund të fjalës së tij Kurti tha se si Qeveri tha po punojnë që kjo histori dhe trashëgimi të dokumentohet dhe të ruhet e të përcjellët edhe të brezat e ardhshëm.
“Si qeveri e Republikës së Kosovës po punojmë që kjo histori, trashëgimi dhe vlerë e jona kombëtare të dokumentohet, të ruhet dhe të përcjellët te brezat e ardhshëm si në Kosovë, ashtu dhe në mërgatë. Lavdi e përjetshme e kryekomandantit Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë. Qoftë kujtimi i Epopesë së UÇK-së frymëzim i përhershëm që të vazhdojmë të ndërtojmë e zhvillojmë Republikën e Kosovës me përgjegjësi, drejtësi dhe sovranitet”, përfundoi Kurti.
