Bashkimi Evropian ka thënë se i sheh me “keqardhje” zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
Nga BE kanë deklaruar se po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Tani, po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar një zëdhënës i BE-së për Radio Evropa e Lirë.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës u mblodh mbrëmë për ta zgjedhur Presidentin, por që seanca dështoi në mungesë kuorumi, meqë në sallë nuk ishin deputetët e partive opozitare.
VV propozoi për president Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu kërkoi menjëherë nga Gjykata Kushtetuese që të pezullohen afatet kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjidhet brenda 60 ditësh.
Presidentja Vjosa Osmani ka nxjerrë Dekret për shpërndarjen e Kuvendit, mëngjesin e sotëm.
“Jam para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën ta dërgojnë vendin në zgjedhje. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës. Sot në përputhje me Kushtetutën kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit. Në një Republikë Kushtetuese ka diçka që është mbipartiake, është Kushtetuta e vendit”, tha Osmani.
Më pas u takua me krerët e partive për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.
Kryeministri dhe kreu i VV’së, Albin Kurti, e cilësoi si jokushtetues dekretin dhe paralajmëroi se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve nuk është kushtetues, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit ushtrohet vetëm në raste të paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta. Andaj kjo përbën një tjetër lëndë për Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Kurti.
