Kroacia i reagon Vuçiqit: Po e keqinterpreton me qëllim marrëveshjen me Kosovën e Shqipërinë

Kroacia i reagon Vuçiqit: Po e keqinterpreton me qëllim marrëveshjen me Kosovën e Shqipërinë

Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë kanë thënë se marrëveshja trepalëshe me Shqipërinë dhe Kosovën është duke u keqinterpretuar qëllimshëm nga Beogradi. Nga Zagrebi zyrtar thonë se ministri Ivan Anushiq e ka sqaruar se marrëveshja në fjalë s’është për aktivitete luftarake, por një kornizë e bashkëpunimit teknik. Gjithashtu ia kanë kujtuar presidentit serb marrëveshjen e vitit 2010 mes Serbisë dhe Kroacisë, duke theksuar se Vuçiq me qëllim s’po flet për të, ndonëse është më gjithëpërfshirëse dhe më e detajuar se deklarata trepalëshe Kroaci-Shqipëri-Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksnader Vucic, pas një takimi që ka pasur me figura të “Republika Srpskas”, përfshirë edhe Millorad Dodik, kishte deklaruar se situata e sigurisë është “disi më komplekse” si rezultat i aleancës në mes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke paralajmëruar kështu armatosje shtesë të Serbisë.

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë kanë thënë se Serbia në mënyrë të qëllimshme është duke e keqinterpretuar marrëveshjen trepalëshe në mes të Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës.

“Bazuar në pyetjen tënde rreth reagimeve të Serbisë rreth Deklaratës Trepalëshe duam të sqarojmë si në vijim. Kjo Deklaratë Trepalëshe në mes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës po keqinterpretohet qëllimshëm në Beograd”, kanë thënë për Gazetën Express nga Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë që drejtohet nga Ivan Anushiq.

Nga kjo ministri kanë thënë se Anushiq e ka sqaruar se marrëveshja s’është aleancë ushtarake apo platformë për aktivitete luftarake, por një kornizë për bashkëpunim Teknik, shkëmbim dijesh dhe bashkëpunim në mes të industrive të mbrojtjes me qëllim të stabilitetit rajonal.

“Aktivitetet e Kroacisë drejtohen ekskluzivisht drejt sigurimit të stabilitetit rajonal dhe mbështetjes së rrugës së Shqipërisë dhe Kosovës drejt institucioneve evropiane dhe transatlantike”, kanë shtuar tutje në përgjigje për Express.

Zagrebi zyrtar ka rikujtuar gjithashtu faktin se Serbia me qëllim po qëndron e heshtur për marrëveshjen që vetë ka nënshkruar me Kroacinë në vitin 2010, marrëveshje e cila është shumë më gjithëpërfshirëse dhe më e detajuar se deklarata trepalëshe në mes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

 Ministria e Mbrojtjes kanë thënë për Gazetën Express se Kroacia si vend sovran i NATO-s dhe BE-së, realizon në mënyrë të pavarur politikën e saj dhe është e përkushtuar për transparencë kur vjen fjala për bashkëpunimin rajonal.

“Si një anëtare sovrane e NATO-s dhe BE-së, Kroacia ndjek politikën e saj të pavarur dhe mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit transparent rajonal”, thonë nga kjo ministri.

Sa i përket paralajmërimeve për armatosje të bëra nga presidenti serb, Aleksander Vucic, ministria rikujton deklarimet e ministrit Anushiq se s’është i shqetësuar nga deklarata të tilla të bëra nga kreu i shtetit serb.

“Ministri Anushiq në deklaratat për shtyp ka thënë se nuk është i shqetësuar nga njoftimet e Presidentit Aleksandar Vucic se Serbia do të armatoset më tej”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministri Anushiq ka thënë se Vuçiq mund të flasë për Serbinë meqë është vendi i tij dhe se ka legjitimitetin për të bërë atë që mendon se duhet ta bëjë dhe se s’ka vend për shqetësim.

Related Articles