Detaje nga alarmi i rremë për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, thirrja anonime erdhi në gjuhën serbe

Detaje nga alarmi i rremë për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, thirrja anonime erdhi në gjuhën serbe

Një alarm për bombë ka vënë në lëvizje Policinë në Prishtinë, pasi një person ende i panjohur ka raportuar se kishte vendosur mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve.

Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar më 22 qershor, rreth orës 18:30, përmes linjës “Raporto Krimin”.

Burimet bëjnë të ditur se informata anonime ishte dhënë në gjuhën serbe, ku raportuesi kishte deklaruar se kishte vendosur një bombë te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë evakuuar personat që ndodheshin brenda objektit dhe kanë siguruar perimetrin përreth stacionit.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe njësitet hetimore, Njësia për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese dhe Njësia K9, të cilat kanë kryer kontrollimin e objektit dhe hapësirës përreth.

Gjatë kontrollit nuk është gjetur asnjë mjet i dyshuar apo mjet shpërthyes.

Pas përfundimit të verifikimeve, Stacioni i Autobusëve është hapur për qytetarët dhe ka vazhduar funksionimin normal.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit rasti është iniciuar si “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.

Hetimet për identifikimin e personit të dyshuar janë në vazhdim.

Related Articles