Liverpooli dhe Arsenali raportohet se do të duhet të shpenzojnë një shumë të konsiderueshme parash nëse duan të sigurojnë shërbimet e Bradley Barcolës gjatë afatit kalimtar të verës.
23-vjeçari, sipas raportimeve, është i pakënaqur me minutazhin e tij të reduktuar te Paris Saint-Germain dhe dyshon se mund të ketë edhe më pak hapësira sezonin e ardhshëm, pasi kampionët e Francës janë të interesuar për transferimin e Yan Diomande nga RB Leipzig.
Mësohet se Barcola nuk është i gatshëm të nënshkruajë kontratë të re me PSG dhe është i hapur për një largim këtë verë, nëse nuk i garantohet një rol titullari i rregullt.
Që nga transferimi nga Lyon në vitin 2023, ai ka fituar dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe tre tituj të Ligue 1, por e nisi nga stoli finalen e fundit të Champions League, të cilën PSG e fitoi ndaj Arsenalit.
Ky vendim konsiderohet një nga arsyet kryesore që mund ta shtyjë sulmuesin drejt një largimi të mundshëm nga Parisi.
Si Liverpooli ashtu edhe Arsenali janë në kërkim të përforcimeve në repartin ofensiv dhe shihet se Barcola do të ishte një opsion i rëndësishëm për të dy klubet angleze.
Megjithatë, një transferim i tij mbetet i vështirë për shkak të çmimit të lartë të vendosur nga PSG.
Sipas “The Athletic”, klubi francez e vlerëson sulmuesin me të paktën 116 milionë funte dhe nuk ka presion për ta shitur, pasi kontrata e tij aktuale është e vlefshme edhe për dy vite.
Raportohet se PSG ka pezulluar për momentin çdo bisedim për largimin e tij, duke prioritetizuar rinovimin e kontratës me kushte më të mira.
Klubi parisien e konsideron Barcolan një lojtar të rëndësishëm dhe nuk është i detyruar financiarisht të pranojë ofertat këtë verë, pavarësisht interesimit nga klubet e Premierligës.
Barcola realizoi 13 gola dhe dhuroi shtatë asistime sezonin e kaluar, ndërsa aktualisht është pjesë e kombëtares së Francës në Kupën e Botës.
Ai shënoi edhe në fitoren 3-1 të Francës ndaj Senegalit në fazën e grupeve.
