Anglia ka marrë një shtysë të rëndësishme para çerekfinales së Kupës së Botës 2026 ndaj Norvegjisë, pasi Thomas Tuchel do të ketë sërish në dispozicion disa nga lojtarët kyç të skuadrës.
Sipas raportimeve të Sky Sport, Declan Rice dhe Marc Guehi janë stërvitur normalisht me pjesën tjetër të ekipit, duke konfirmuar se kanë lënë pas problemet fizike që i shqetësonin ditët e fundit.
Të dy futbollistët pritet të jenë të gatshëm për ndeshjen dhe synojnë një vend në formacionin titullar të Anglisë.
Lajme pozitive ka edhe për Reece James, i cili është rikthyer në stërvitje me skuadrën pasi mungoi në ndeshjen e fazës së grupeve ndaj Ganës.

Megjithatë, stafi teknik synon të tregojë kujdes me mbrojtësin e Chelseat dhe, nëse nuk ka ndonjë ndryshim të papritur, ai nuk pritet ta nisë sfidën nga minuta e parë.
Rikthimi i Declan Rice konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për Anglinë, pasi mesfushori i Arsenalit është një nga shtyllat e ekipit falë ekuilibrit, intensitetit dhe cilësisë që i jep repartit të mesfushës.
Po aq i rëndësishëm është edhe rikthimi i Marc Guehit, i cili pritet të udhëheqë mbrojtjen angleze në një përballje delikate kundër sulmit të rrezikshëm të Norvegjisë, me Erling Haalandin si kërcënimin kryesor.
Me këto rikthime, Tuchel hyn në fazën vendimtare të turneut me më shumë alternativa dhe besim, ndërsa synon ta udhëheqë Anglinë drejt gjysmëfinales së Kupës së Botës.
