Personi që dyshohet se kishte kërcënuar Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjetit social Facebook, ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Kadri Xhemailin, 72 vjeçar, i cili u arrestua të dielën në pikën kufitare Stançiq, në zbatim të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, Xhemaili kërkohej në kuadër të hetimeve për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, pasi dyshohet se më 30 tetor 2025, përmes Facebook-ut, kishte publikuar përmbajtje me karakter kërcënues ndaj Kryeministrit Kurti.
Arrestimi i tij u realizua gjatë kontrollit kufitar, ku nga verifikimet rezultoi se ndaj tij ishte aktiv urdhër-arresti i lëshuar nga gjykata.
Me urdhër të Prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri në këtë rast.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
