Një shofer në Malishevë është ndëshkuar nga Policia pasi i kishte lejuar një fëmije 12-vjeçar të drejtonte automjetin dhe kishte incizuar momentin.
Rasti u zbulua pas një videoje të dërguar nga qytetarët, ku shihej një person madhor duke ia lënë drejtimin e veturës të miturit në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, ndërsa vetë e regjistronte ngjarjen.
Pas hetimeve të zhvilluara nga Stacioni Policor në Malishevë, personi përgjegjës është identifikuar dhe ndaj tij janë ndërmarrë masa ligjore në bazë të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Policia ka bërë të ditur se shoferi është dënuar me 400 euro gjobë, i janë shqiptuar pesë pikë negative, si dhe i është vendosur masë mbrojtëse me ndalim të drejtimit të automjeteve për gjashtë muaj.
Autoritetet kanë apeluar te prindërit dhe të gjithë drejtuesit e automjeteve që të mos lejojnë personat e mitur dhe të paautorizuar të drejtojnë automjete, duke theksuar se veprime të tilla përbëjnë rrezik serioz për sigurinë në trafik.
