Dy persona janë gjobitur me nga 500 euro pasi janë identifikuar nga Policia e Kosovës si përgjegjës për ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura në Malishevë.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti i parë është raportuar rreth orës 19:05, në rrugën “William Walker” në Malishevë, ndërsa rasti i dytë rreth orës 20:30, në rrugën “Skënderbeu” në Malishevë.
Gjatë veprimeve policore, zyrtarët kanë arritur t’i identifikojnë personat përgjegjës për ndezjen e zjarreve.
Sipas Policisë, me veprimet e tyre, përveç rrezikimit të hapësirave përreth, është shkaktuar edhe ndotje e ambientit.
Ndaj personave të identifikuar janë ndërmarrë masat përkatëse ligjore, ku secilit prej tyre i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 (pesëqind) euro, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
