Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka refuzuar propozimin e Iranit për një plan shtatëditor që synonte përfundimin e luftimeve dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Sipas Reuters, propozimi iranian, i përcjellë përmes ndërmjetësve nga Katari, parashihte rihapjen e ngushticës dhe ndaljen e luftimeve në rajon brenda shtatë ditësh.
Trump konfirmoi se e kishte refuzuar ofertën iraniane.
“Ata bënë një propozim, por unë e refuzova”, u tha Trump gazetarëve, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
Propozimi ishte prezantuar nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Sipas planit, pas përmbushjes së kushteve të dakorduara do të hapej Ngushtica e Hormuzit dhe do të niseshin bisedimet për çështjet e mbetura, përfshirë programin bërthamor të Iranit.
Sipas Reuters, Irani po priste përgjigje zyrtare nga Uashingtoni pas raportimeve për refuzimin e propozimit nga Trump.
Ngushtica e Hormuzit është një prej rrugëve kryesore të transportit të naftës dhe gazit në botë, ndërsa konflikti SHBA-Iran ka ndikuar në qarkullimin përmes kësaj rruge strategjike.
