Nëntë persona janë arrestuar të dielën në komunën e Zubin Potokut, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit të 27 shtatorit 2026, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Operacioni, i koduar “Dosja 23”, është realizuar nga Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me mbështetjen e njësive të tjera të specializuara policore.
Sipas komunikatës, operacioni ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se për detaje të mëtejshme lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik.
