Haxhiu përkujton “Grupin e Intelektualëve”: Familjet meritojnë të vërtetën, për krimet e luftës duhet drejtësi

Haxhiu përkujton “Grupin e Intelektualëve”: Familjet meritojnë të vërtetën, për krimet e luftës duhet drejtësi

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kujtuar dhe nderuar sot në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë Adem Beqirin, Idriz Rrecajn dhe Salih Mëziun, tre nga viktimat e “Grupit të Intelektualëve”, të cilët u identifikuan pas 27 vjetësh kërkimi.

Haxhiu tha se familjet e tre të zhdukurve tashmë kanë marrë përgjigje për fatin e të dashurve të tyre, të cilët do të prehen në paqe.

Sipas saj, më 19 prill 1999, forcat serbe rrëmbyen 23 civilë shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

Ata u ndaluan në Melajë, në Kalludër të Vogël, ku, sipas Haxhiut, u keqtrajtuan dhe u ekzekutuan, ndërsa trupat e tyre u fshehën.

Gërmimet në Kalludër dhe Jabukë, si dhe analizat e ADN-së, konfirmuan identitetin e Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut.

“U gjetën në varre pa emër, por tani do të prehen me emrat e tyre dhe familjet do të kenë një vend ku t’i kujtojnë e t’i nderojnë”, tha Haxhiu.

Ajo ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në gjetjen dhe identifikimin e viktimave, duke kërkuar që procesi i kërkimit të vazhdojë edhe për 20 anëtarët e tjerë të “Grupit të Intelektualëve”, si dhe për të gjithë personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Kërkimi duhet të vazhdojë për 20 anëtarët e tjerë të grupit dhe për çdo person të zhdukur me dhunë. Familjet meritojnë të vërtetën, ndërsa për krimet e luftës duhet të ketë drejtësi”, u shpreh ajo.

Related Articles