Partia Demokratike e Kosovës e ka lidhur zgjedhjen e presidentit me kushtin e plotë të miratimin të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Problemi është kalendari. Nëse respektohen afatet minimale të Rregullores së Kuvendit, votimi përfundimtar për ligjin mund të mbahet më së herëti më 8 tetor. Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon dy ditë më herët.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e përsëriti kushtin të shtunën, pas mbledhjes së partisë.
“Fillimisht duhet me u aprovu ligji dhe po e ritheksoj: me u aprovu ligji në të gjitha nivelet, pastaj ne jemi të hapur të diskutojmë për çështjen e presidentit”, tha ai.
Ditë më parë, Hamza e kishte bërë të qartë se PDK-ja do të ulej të bisedonte për presidentin vetëm pasi ligji të kalonte në të dy leximet. Në atë rast, ai garantoi 22 votat e partisë për kandidatin e dakorduar. Pra, një votim vetëm në parim nuk i mjafton PDK-së.
Hamza, megjithatë, nuk i paraqiti ligjin dhe presidentin si dy objektiva që përjashtojnë njëri-tjetrin.
“Ne besojmë që ligji duhet me u aprovu, duhet të ketë president dhe t’i kthehemi stabilitetit”, shtoi ai.
Ai e vendosi çështjen edhe përtej llogarive partiake: “Këtu kemi të bëjmë me diçka që i kalon përmasat e një subjekti politik.”
Kryetari i PDK-së konfirmoi se do të takohet me kryeministrin Albin Kurti në orën 16:30.
Qeveria ia hapi rrugën projektligjit të premten në mbrëmje. Në një mbledhje elektronike, ajo vlerësoi se nismës së PDK-së nuk i dalin pengesa ligjore.
PDK-ja e priti vendimin me thirrje për unitet. “Kur preken themelet e lirisë, duhet të jemi bashkë”, shkroi në Facebook shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.
Drita jeshile erdhi megjithatë me rezerva. Ministria e Drejtësisë theksoi se ndryshimet ndërthuren me çështje kushtetuese dhe me detyrime ndërkombëtare, dhe e cilëson materien si “komplekse”. Sipas saj, përputhja me Amendamentin nr. 24, mbi të cilin mbështeten Dhomat e Specializuara, duhet shqyrtuar veçmas në Kuvend.
Shfuqizim potencial i ligjit?
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, përmes një reagimi shkroi se ndryshimet e propozuara nga kjo parti në Ligjin për Dhomat e Specializuara ia heqin shprehimisht Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë kompetencën për ta shqyrtuar apo shfuqizuar ligjin. Sipas tij, kjo kompetencë do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Prishtinë.
Gruda e dha sqarimin në një postim në Facebook, pas reagimeve se ligji, pasi të miratohet, mund të dërgohet në Hagë dhe të shfuqizohet.
“Po e sqaroj: me ndryshimet që kemi propozuar në ligj, Dhomës së Specializuar Kushtetuese i është hequr shprehimisht kompetenca për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit, në çfarëdo forme”, shkroi ai.
Argumenti i tij mbështetet te vetë Amendamenti nr. 24. Sipas tij, ky amendament e lidh juridiksionin e Dhomës në Hagë me “ligjin e veçantë”, pra me atë që Kuvendi vendos ta ndryshojë. Neni 23 i projektligjit, sipas Grudës, e kufizon Dhomën vetëm te referimet që burojnë nga vendimet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjit i kalon Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë.
“Ajo nuk është një Gjykatë Kushtetuese e veçantë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por një Dhomë e Specializuar me juridiksion të posaçëm”, përfundon Gruda.
