Hamza i përgjigjet Kurtit: Ligji për Specialen s’lidhet me asnjë pozitë politike

Hamza i përgjigjet Kurtit: Ligji për Specialen s’lidhet me asnjë pozitë politike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në një konferencë për media ka deklaruar se qëndrimi i PDK-së për Ligjin për Dhomat e Specializuara ka qenë dhe vazhdon të jetë i njëjtë, duke kërkuar miratimin e tij në dy lexime.

Hamza ka theksuar se çështja e Ligjit për Specialen nuk lidhet me pozita politike apo institucionale.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë konsistent, aprovimi i Ligjit për Dhomat e Specialuara në dy lexime. Nuk janë çështje të ndërlidhura me asnjë pozitë politike apo institucionale”.

“Kemi vonesa, mosrespektin të afateve kushtetuese për Kuvendin e Kosovës, për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si rezultat i deklaratave, i veprimeve që pa marrëveshje për presidentin, nuk e konstituojmë Kuvendin”, u shpreh ai.

Sipas tij, nga 7 gushti e deri më sot nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret për t’i dhënë vendit një President.

“Asnjë veprim konkret, serioz për një periudhë prej datës 7 gusht, deri sot, deri në orët e fundit, për t’i dhënë vendit president”.

Duke folur për Ligjin për Dhomat e Specializuara, Hamza ka thënë se drejtësia duhet të vlejë për të gjithë dhe se viktimat, dëshmorët, veteranët dhe qytetarët e Kosovës nuk i takojnë vetëm një subjekti politik.

“Viktimat, dëshmorët, viktimat civile, invalidët e luftës, veteranët, populli i Kosovës nuk i takon veç një subjekti politik, i takon të gjitha subjekteve politike”.

Hamza ka theksuar gjithashtu se Ligji synon drejtësi për personat që janë pjesë e procesit në Dhomat e Specializuara.

“Ligji kërkon drejtësi, drejtësi për njerëzit të cilët janë në këtë proces. Nuk janë ata atje për veprimet e tyre të pasluftës, nuk janë atje si ndonjë pjesëtar, lider i ndonjë subjekti politik, janë për pjesën më të ndritshme të historisë së Kosovës, luftën çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Hamza.

Related Articles