Kryeministri i Maltës, Robert Abela, ka shprehur mbështetjen e vendit të tij për rrugën evropiane të Kosovës, në një letër urimi drejtuar kryeministrit Albin Kurti, me rastin e rizgjedhjes së tij në krye të Qeverisë.
Në letrën e tij, Abela ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve, duke theksuar gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe thellimin e mëtejmë të lidhjeve të miqësisë ndërmjet Maltës dhe Kosovës.
“Malta dhe Republika e Kosovës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe, dhe mezi pres që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë teksa forcojmë edhe më shumë lidhjet e miqësisë ndërmjet dy vendeve tona”, ka shkruar Abela.
Krahas vlerësimit të raporteve mes dy shteteve, kryeministri maltez ka riafirmuar edhe mbështetjen e palëkundur të Maltës për aspiratat evropiane të Kosovës, duke i uruar vendit sukses në procesin e integrimit evropian.
“Dua të riafirmoj mbështetjen e palëkundur të Maltës për aspiratat evropiane të Kosovës dhe t’ju uroj sukses teksa vendi juaj vazhdon të përparojë në rrugën evropiane”, thuhet në letrën e shefit të qeverisë malteze.
