Një operacion ndërkombëtar kundër mashtrimeve financiare përmes qendrave të thirrjeve dhe platformave të rreme të investimeve është zhvilluar sot në Kosovë, ku janë bastisur pesë lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj, ndërsa tre persona janë arrestuar, shkruan Sinjali.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të arrestuarit janë M.P., I.H. dhe F.Z., të cilët dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, mashtrim, hyrje të paautorizuar kompjuterike dhe mashtrim kompjuterik.
Operacioni është realizuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe asaj për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Aksioni në Kosovë është pjesë e një operacioni ndërkombëtar, gjatë të cilit urdhërkontrolle janë zhvilluar edhe në Shqipëri, Qipro, Izrael, Finlandë dhe Maqedoninë e Veriut.
Gjatë bastisjeve në Kosovë janë sekuestruar përkohësisht vetura, telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.
Si dyshohet se mashtroheshin qytetarët?
Sipas dyshimeve të deritanishme, personat e përfshirë paraqiteshin si agjentë apo ndërmjetës financiarë dhe dyshohet se mashtronin qytetarë, kryesisht gjermanishtfolës, duke i bindur të transferonin para për investime të pretenduara në instrumente financiare dhe kriptovaluta.
Fitimet që shfaqeshin në platformat përkatëse dyshohet se ishin fiktive, ndërsa paratë e transferuara nuk investoheshin sipas premtimeve që u bëheshin viktimave.
Operacioni në Kosovë është realizuar në koordinim me autoritetet gjermane dhe partnerët ndërkombëtarë. Në zbatimin e urdhërkontrolleve kanë qenë të pranishëm prokurori i Prokurorisë Speciale, përfaqësues të Prokurorisë dhe hetues nga Gjermania, si dhe ekspertë të krimeve kibernetike nga Europol.
Bashkëpunimi ndërkombëtar është lehtësuar edhe nga Eurojust.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale, për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë dhe për të gjurmuar pasurinë që mund të ketë prejardhje nga veprat penale.
