Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, ka deklaruar se autoritetet nuk po përjashtojnë asnjë shkak të mundshëm për problemin në sistemin e komunikimit, i cili çoi në pezullimin e nisjeve të fluturimeve në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Mullin bëri të ditur se ende nuk është përcaktuar shkaku i ndërprerjes, ndërsa theksoi se prioritet i autoriteteve është garantimi i sigurisë së pasagjerëve dhe rikthimi i komunikimeve në sistemin e kontrollit të trafikut ajror.
Ai pranoi se autoritetet kanë marrë shumë pyetje lidhur me mundësinë e një sulmi terrorist apo kibernetik, por theksoi se deri më tani nuk ka prova që konfirmojnë ndonjërin prej këtyre skenarëve.
“Po marrim shumë telefonata nga njerëz që pyesin: ‘A është ky një sulm terrorist?’. Të gjithë janë të sigurt. Nuk ka nevojë të shqetësoheni për të dashurit tuaj”, deklaroi Mullin.
Megjithatë, ai nënvizoi se, duke marrë parasysh numrin e madh të sulmeve kibernetike, edhe kjo mundësi duhet të shqyrtohet gjatë hetimeve.
“Ndërsa hetojmë se çfarë e shkaktoi këtë, duhet të marrim parasysh edhe mundësinë e një sulmi kibernetik, por kjo ende nuk dihet. Fillimisht do të rivendosim komunikimet dhe më pas do të rifillojmë operacionet normale”, tha ai.
Mullin theksoi gjithashtu se, deri më tani, nuk ka ndonjë arsye për ta lidhur ndërprerjen e komunikimeve në aviacion me problemet e fundit teknike të kompanisë Microsoft.
Në përpjekje për të qetësuar qytetarët, sekretari amerikan deklaroi se situata aktuale nuk përbën një kërcënim të ngjashëm me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.
Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e ndërprerjes dhe për të rikthyer funksionimin normal të trafikut ajror.
