sh-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se prej vitesh nuk i lejohet të hyjë në Kosovë, duke pretenduar se një kufizim i tillë vlen edhe për anëtarët e familjes së tij. Ai ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për këtë situatë.
Vuçiq i ka bërë këto deklarata duke komentuar vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore në Kosovë dhe takimin e tyre me peshkopin Teodosije në Graçanicë.
Sipas deklaratës së publikuar nga Nacionalni Magazin, Vuçiq ka pretenduar se atij dhe familjarëve të tij nuk u mundësohet hyrja në Kosovë as për vizita private.
Vuçiq: Prej vitesh nuk mund të hyj në Kosovë
“Unë prej vitesh nuk mund të hyj në Kosovë. As si qytetar, e as dikush nga familja ime nuk mund të vijë privatisht, sepse Albin Kurti nuk e lejon këtë. Ndërsa atyre ua lejon”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai i është referuar vizitës së përfaqësuesve të Listës Studentore, të cilët kanë zhvilluar një takim me peshkopin Teodosije në Graçanicë.
Sipas Vuçiqit, përfaqësuesit e kësaj liste fillimisht kishin deklaruar se nuk kishin shkuar në Kosovë në cilësi politike, ndërsa më vonë ishte bërë e ditur se peshkopi Teodosije i kishte pritur si përfaqësues të Listës Studentore.
Vuçiq ngre pyetje për lejen e vizitës së Listës Studentore
“E dinin mirë dhe pikërisht për këtë e morën lejen, pikërisht sepse e dinin”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar vizitës së përfaqësuesve të Listës Studentore në Kosovë.
Ai ka kërkuar që qytetarët të mendojnë për arsyet pse përfaqësuesve të kësaj liste u është mundësuar vizita, ndërsa, sipas pretendimit të tij, atij nuk i lejohet hyrja.
Vuçiq ka përmendur edhe Nenad Rashiqin, duke ngritur pyetje për qëndrimin e tij pozitiv ndaj përfaqësuesve të Listës Studentore.
