Mbi 60 për qind e serbëve kundër BE-së nëse anëtarësimi kushtëzohet me njohjen e Kosovës

Mbi 60 për qind e serbëve kundër BE-së nëse anëtarësimi kushtëzohet me njohjen e Kosovës

Mbi 60 për qind e qytetarëve të Serbisë do të votonin kundër anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, nëse njohja e pavarësisë së Kosovës do të ishte një nga kushtet për integrim.

Kështu tregojnë rezultatet e një sondazhi të realizuar nga Instituti i Shkencave Sociale i Serbisë, të publikuara nga “Yahoo News”.

Sipas të dhënave, 60.2 për qind e të anketuarve janë shprehur kundër anëtarësimit të Serbisë në BE në rast se vendit do t’i kërkohej ta njihte Kosovën si pjesë të procesit të integrimit.

Ndërkaq, nëse njohja e Kosovës nuk do të ishte kusht për anëtarësim, 48.3 për qind e qytetarëve do ta mbështesnin integrimin evropian të Serbisë. Kundër këtij procesi janë deklaruar 35 për qind, ndërsa 12.6 për qind kanë mbetur të pavendosur.

Sondazhi nxjerr në pah edhe skepticizmin e qytetarëve serbë për perspektivën evropiane të vendit. Rreth 46.6 për qind e të anketuarve nuk besojnë se Serbia do të bëhet ndonjëherë anëtare e Bashkimit Evropian.

Ky mosbesim është i pranishëm edhe te një pjesë e atyre që në parim e mbështesin anëtarësimin, pasi 19.4 për qind e tyre nuk besojnë se Serbia do të bëhet pjesë e BE-së.

Sondazhi është realizuar nga 21 maji deri më 25 shtator të vitit 2026, me pjesëmarrjen e 1 mijë e 248 personave.

Rezultatet tregojnë se çështja e Kosovës mbetet një faktor me ndikim të madh në qëndrimin e opinionit publik serb ndaj integrimit evropian.

Related Articles