Hoti për Vjosa Osmanin: Deklaratat e saj e kanë humbur çdo relevancë publike, duhet të marrë fund hapësira politike që i jepet

Hoti për Vjosa Osmanin: Deklaratat e saj e kanë humbur çdo relevancë publike, duhet të marrë fund hapësira politike që i jepet

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani, duke e bërë përgjegjëse për një pjesë të madhe të rezultatit zgjedhor të vitit 2021 dhe për zhvillimet politike të pesë viteve të fundit.

Në një intervistë në emisionin “Blic Interview me Astrit Gashin”, Hoti duke folur për zgjedhjet e vitit 2021, ka thënë se Osmani mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për rezultatin e atëhershëm zgjedhor.

“Kemi kaluar nëpër faza shumë të vështira. Në vitin 2021, përgjegjëse për rezultatin zgjedhor, një pjesë të madhe të përgjegjësisë për atë rezultat e ka zonja Osmani”, është shprehur ai.

Hoti ka komentuar edhe deklaratat e fundit të Osmanit, duke thënë se nuk dëshiron t’u kushtojë shumë rëndësi, pasi, sipas tij, ato kanë humbur rëndësinë publike.

Ai ka rikujtuar se Osmani ishte pranuar në LDK dhe se Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie kishte vendosur që ajo të ishte bartëse e listës zgjedhore.

“Këto janë deklarime të marra nga ana e saj. Unë e kam kredon e nevojshme me i pa njerëzit në sy, edhe kur pajtohem, edhe kur nuk pajtohem. Unë të gjitha gjërat i bëj publikisht. Unë e kam pranuar në shtëpinë time, Këshilli i Përgjithshëm vendosi që ta bënte bartëse të listës, e kam bërë fushatën duke kërkuar mbështetjen për LDK-në”, ka thënë Hoti.

Hoti tha se deklarimet e saj kanë humbur çdo lloj relevance publike, dhe si e tillë nuk duhet t’i jepet hapësira politike.

“Besoj që nuk është e vlefshme as të kalojmë shumë minuta duke diskutuar deklarimet e saj. Deklarimet e saj e kanë humbur çdo lloj relevance publike. I ka shërbyer këtij modeli politik për të cilin ne po bartim pasojat tash. Nuk e ka thënë asnjë fjalë në pesë vite, ka dalë në kampin tjetër politik, duke formuar një subjekt tjetër politik, ‘Guxo’, e ka lënë edhe atë, mandej prapë është kthyer në LDK dhe vazhdon me deklarime të tilla. Besoj që për njerëz të tillë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë hapësira politike që iu jepet”, ka deklaruar Hoti.

Related Articles