Lidhur me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 dhe variantit të ri Delta kanë reaguar përfaqësuesit e Hotelerisë dhe Gastronomisë duke e cilësuar që nuk janë vatër e infeksionit siç po pretendohet, pasi kjo është dëshmuar edhe më parë.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, në një deklaratë për EO tha se nuk mund të fajësohen vetëm dasmat për bartjen e virusit, pasi është dëshmuar edhe në bazë të analizave që edhe më parë nuk kanë qenë vatër e shpërndarjes.
Ai shton se vatër e shpërndarjes së virusit janë edhe ekskursionet, tregjet e qendrat tregtare.
“Varet prej cilit kënd njerëzit flasin, sepse virusi nuk shpërndahet vetëm nga dasmat, ndoshta është një prej tyre, pasi tash kemi edhe organizime dhe ekskursione të ndryshme që po bëhen ku udhëtohet me autobusë me orë të gjata, me 65-70 veta dhe ajo është dhe mos të flasim për tregjet, e qendrat tregtare”.
“Nuk kisha thanë që jemi burim i infeksionit, sepse edhe më parë është thënë që hoteleria dhe gastronomia janë vatër, por kur është marrë në analiza nuk ka dalë ashtu”.
Tutje ai shton se do bëhet një analizë më e thellë nga ta për lejimin e mbajtjes së festivaleve dhe koncerteve në ambiente të hapura, ndërsa për dasma jo, duke theksuar që ka një ndasi të masave në këtë drejtim.
“Ne do bëjmë analiza dhe do mbajmë kontakte për të analizuar këtë problem, sepse edhe unë jam ithtar i asaj që jashtë është më mirë të bëhet, pajtohem që brenda të mos mbahet dhe pastaj të rishikohet procesi i vaksinimit dhe procedura të tjera”, theksoi tutje ai.
Edhe Shpat Hashani nënkryetar i Shoqatës së Gastronomëve, në një intervistë për EO tha se është parë deri më tani që gastronomia nuk është i vetmi vend i rritjes së numrave dhe që vazhdimisht kanë respektuar masat dhe distancën e kërkuar nga ministria.
“U pa deri më tash që Gastronomia nuk është i vetmi vend apo vatër e rritjes së numrave ku kemi parë që kafenetë kanë punuar me të njëjtin kapacitet siç kanë qenë të vendosura masat dhe për këtë arsye mund të them që sidomos kafet nuk kanë pas rol në rritje të tyre, ku shumica e neve kemi pasur distancën, mjetet dezinfektuese, maskat e gjithçka tjetër”, tha ai.
Hashani thotë se në aspektin e rritjes së numrave kanë ndikuar edhe ardhja e diasporës edhe pse me ndikim të mirë në ekonomi.
Ai ka apeluar që të vaksinohen bizneset dhe gjithë qytetarët që të bien numrat sa më shpejtë.
“Përveç gastronomëve për rritjen e numrave luajnë rol edhe ardhja e diasporës prej jashtë. Normal që kanë efekt të mirë në ekonomi por po shohim që po kanë efekt negativ në rritjen e numrave se po është fluksi më i madh i njerëzve. Edhe hapja e klubeve të natës e lokaleve të dasmave kanë pas rol në rritjen e numrave”.
“Besoj që prej shtatorit e andej do të bien numrat, dhe nuk ka fluks të madh të njerëzve dhe i lus njerëzit që nuk kanë marr vaksinat të shkojnë për tu vaksinuar sepse është për të mirë të gjithëve, sidomos bizneseve”, deklaroi ai.