Kërkohet të zbardhet vrasja e 18 vjeçares nga Ferizaj, gjithçka që dihet deri më tani

Kërkohet të zbardhet vrasja e 18 vjeçares nga Ferizaj, gjithçka që dihet deri më tani

Vrasja e 18-vjeçares nga qyteti i Ferizaj ka tronditur vendin dhe ka nxitur reagime të shumta nga njerëz të ndryshëm, shkruan Gazeta Enigma.

“Rasti i vrasjes së vajzës 18 vjeçares, edhe njëherë na përplasi fytyrës realitetin e hidhur në të cilën gjenden vajzat tona”.

Kështu e cilëson vrasjen e vajzës nga Ferizaj zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi.

Halimi ka thënë tutje për Gazetën “Enigma” se gjuha mizogjeniste, dhuna ndaj grave dhe vajzave janë shndërruar në normalitet në shoqëri, kjo sipas saj nga përdorimi i rrjeteve sociale.

“Mjafton të analizohen rrjetet sociale, ku aq lehtësisht, fyerja deri në eliminim është bërë përditshmëri. Nuk mjafton të tronditemi vetëm nga vrasjet fizike, ne duhet të tronditemi çdo ditë për gjuhën e vrasjes drejtuar vajzave dhe grave e që vrasja fizike, vjen si pasojë e mos ndëshkimit të këtij mentaliteti. “, ka potencuar Halimi, derisa ka theksuar se ngacmimet seksuale, dhunimet, shantazhi e dhuna ndaj grave janë çështje të cilat duhet të jenë prioritet i secilit pa përjashtim.

Ndërsa, në një përgjigje me shkrim nga Policia e Kosovës për Gazetën “Enigma”, thuhet se në statistikat e përgjithshme për muajin janar e deri në gusht është regjistruar vetëm një vrasje, ndërsa 2 të tjera cilësohen si vrasje të rënda.

Në statistikat e përgjithshme të Policisë bëhet e ditur se që nga muaji janar e deri në gusht janë kryer 7 vrasje, dhe 13 vrasje të rënda. Pra, gjithsej 21 vrasje, duke e përfshirë edhe ngjarjen e mbrëmshme (22 gusht 2021), ku mbeti e vrarë një 18 vjeçarja.

Kryepokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, i cili ka dhënë detaje për vrasjen e vajzës, duke potencuar se të dyshuarit për kryerjen e veprës ishin të njohur për Policinë e Kosovës.

“Personi me inicialet D.K., është i njohur për policinë dhe prokurorinë, ka një numër të madh të rasteve, por të gjitha rastet i ka të mbyllura…Edhe personi i dytë A.S., ka aktakuzë për tentim vrasje në vitin 2013, më 23 shtator është caktuar seanca. Aktakuza është ngritur në vitin 2013”, u shpreh tutje Jasharaj.

“Dhuna duhet të dënohet ashpër”

Kështu ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve që rastet e dhunës t’i raportojnë, në mënyrë që dhunuesit të dalin para drejtësisë.

“Dhuna e këtyre përmasave është alarm që duhet të mobilizojë institucionet e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, t’i trajtojnë me prioritet e me seriozitetin maksimal rastet e tilla, kurse dhunuesit të vihen përballë drejtësisë”, tha Haxhiu të hënën.

“Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore”

Edhe nga Rrjeti i grave të Kosovës ka kërkuar dënim maksimal të fajtorëve për vrasjen e vajzës nga Ferizaj.

“Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave. Si për secilën vrasje të grave nga burrat këtu kemi një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

“Si ka mundësi që në një institucion shëndetësor të lihet trupi i pa jetë i një gruaje, pa kurrfarë llogaridhënie? Le të kujtojmë këtu se spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin”, thuhet më tej.

Ndryshe, M.O, 18-vjeçare, është privuar nga jeta ditën e djeshme (22 gusht 2021), në Ferizaj.

Ajo është dërguar pa shenja jete në spital nga Dardan Krivaqa, 29-vjeçar, me të cilin, sipas familjarëve, viktima ishte martuar rreth dy muaj më parë dhe nga Arbër Sejdiu, 32-vjeç, i cili tashmë ndodhet në pranga. Vlen të theksohet se të dy menjëherë kanë ikur nga spitali, mirëpo personin me inicialet A.S Policia ka arritur ta arrestoj, ndërsa Dardan Krivaqa është ende në arrati.

Related Articles