KQZ ka mbajtur konferencë për media lidhur me procesin e verifikimit të kandidatëve nga institucionet e ndryshme nëse janë në pajtueshmëri me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se pas verifikimeve nga institucionet e sigurisë rezulton se 30 subjekte politike kanë kandidatë që nuk plotësojnë kriteret.
“Janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5 mijë të tillë që kanë kërkuar certifikim, por që kanë së paku një dënim në tri vitet e fundit”, ka deklaruar Valmir Elezi.
Elezi ka thënë se këta kandidatë që kanë dënime për vepra penale në tri vitet e fundit janë edhe në garën për kryetarë të komunave edhe për asamble komunale.
Ai ka thënë se për momentin nuk mund të bëjnë publikimin e emrave të kandidatëve që janë refuzuar të certifikohen pasi sipas tij këtë nuk ua lejon ligji.
Elezi ka thënë se deri me 8 shtatorë do të vazhdojnë procedurat e ankesave kur edhe do të hodhët shorti për zgjedhjet lokale.
Deri në orën 16:00 të ditës së sotme ka qenë afati për pranim të përgjigjeve nga institucionet e ndryshme, në mesin e të cilave edhe nga KGJK-ja, nga ku është kërkuar të dihet se kush janë kandidatët që kanë dënime të formës së prerë nga gjykata për vepra penale në tri vjetët e fundit.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 17 tetor./Gazeta Enigma/