Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca të cilat ishin donacion nga Norvegjia, u ka skaduar afati, shkruan Gazeta “Enigma”.
Duke njoftuar për këtë, Vitia bëri të ditur se ekipet e vaksinimit do të intensifikojnë punën edhe gjatë vikendit, duke filluar nga java e ardhshme.
Ndërsa, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka deklaruar për Gazetën “Enigma” se në momentin kur janë pranuar vaksinat si donacion nga Norvegjia, MSH filloi menjëherë moshave të shtyera t’ua ofrojë vaksinën AstraZeneca.
“Fatkeqësisht, në vend të përkrahjes së këtij veprimi, MSh filloi të akuzohej pse po jep AstraZeneca e jo vetëm Pfizer, për më tepër figura politike shpërndanë dezinformata se gjoja Ministria ka pranuar një donacion të vaksinave pa afat. Kjo është edhe mungesë respekti nga ana e këtyre shpërndarësve të dezinformatave ndaj donatorit dhe kjo u reflektua menjëherë që pësuan rënie nga 13 mijë të vaksinuar sa ishin atyre ditëve, ranë në 5000 mijë”, tha Hoti.
Sipas Hotit, MSh u detyrua që qytetareve t’u mundësojë zgjedhjen, e sipas tij zgjedhja e qytetarëve ishte Pfizer.
“Përkundër promovimit të AstraZences, të cilën e kanë marrë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe mjaft figura publike, pa ndonjë argument të bazuar, një pjesë e popullatës e ka bojkotuar këtë vaksinë. Për më tepër në ditët e fundit të gushtit atyre që kanë marrë AstraZeneca u është mundësuar që këtë ta bëjnë vetëm duke shkuar në qendra të vaksinimit, por prapë, jo në atë nivel të kërkesës sa është Pfizer, përkundër rezultateve të mira te AstraZeneca që po dëshmohen edhe tani”, tha ai.
Hoti ka theksuar se MSh nuk do të administrojë vaksina pa afat në asnjë rrethanë, “ndërsa procesin e vaksinimit do ta vazhdojë me ritmin aktual që është premtues për ngritje të shpejt të vaksinimit në mesin e popullatës”.
Kurse, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ishte ai i cili gjatë muajit qershor kishte ngritur aludimet se donacioni i vaksiniave të pranuara nga Norvegjia, ishin me afat të skaduar.
Por, ai ka thënë për Gazetën “Enigma” se deklarata e tij ishte se “Vaksinat e pranuara donacion nga Norvegjia, janë vaksina të cilat i njëjti vend i ka larguar nga përdorimi dhe këtyre vaksinave do t’iu skadojë afati brenda disa ditëve dhe Ministria e Shëndetësisë këtë donacion e ka pranuar në kundërshtim me ligjin për produktet medicinale”.
Sipas tij në momentin që është pranuar ky donacion është në kundërshtim me ligjin, pasi ai theksoi se neni 40 i ligjit të Kosovës thotë për produktet mjekësore të cilat kanë afatin e skadimit më pak se një vit, duhet të kenë 2/3 e validitet të produktit.
Për asgjësimin e këtyre vaksinave, sipas Haxhiut duhet që ministri Vitia të dale para prokurorisë dhe organeve të drejtësisë, duke theksuar se është donacioni i dytë i ministrit Vitia që duhet ta asgjësojë nga depoja.
“1000 teste nga Serbia të pranuara në kundërshtim me ligjin, duhet të asgjësohen bashkë me 133 mijë vaksina. Skadimi i afatit të këtyre vaksinave është dhe Arben Vitia duhet të dalë para Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë për këtë krim”, ka thënë Haxhiu.
Ai ka thënë se krahas vërejtjeve të tij, MSH e Norvegjisë ka dërguar një njoftim ku thuhet se këtyre vaksinave një pjesë u skadon afati në korrik, e pjesës tjetër në muajin gusht.
“Përkundër kësaj MSH nuk ka bërë asgjë që të distribuoi këto vaksina tek qytetarët, por ka pauzuar të shtunave dhe të dielave. Për më keq ministri Vitia ka gjete kohë të bëj pushime në bregdet dhe të vallëzoj nëpër dasma dhe mos të bjerë në bisedime lidhur me vaksina. Janë plotë 18 ditë që MSH ka pazuar prej se ka pranuar këtë donacion dhe nuk i ka shpërndarë këto vaksina”, ka deklaruar ai.
Kurse, zëdhënësi i Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, e ka fajësuar deputetin Haxhiu, i cili sipas tij ka gënjyer për skadimin e afatit të vaksinave.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të mërkurën, ka njoftuar se 22 persona kanë vdekur nga COVID-19 dhe një mijë e 894 persona të infektuar.
Numri i të infektuarve vjen nga 14 mijë e 284 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.
Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë një mijë e 354 persona./Gazeta Enigma.