Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës ka refuzuar donacione me vaksina nga Polonia dhe Bullgaria.
Vitia ka pranuar se janë refuzuar këto donacione, pasi siç thotë ai, ka pasur rrezik që atyre t’u dalë afati.
“Po, është e vërtetë, janë refuzuar disa donacione me vaksinën Astra Zeneca. Kanë qenë oferta për donacione, pas donacionit që kemi marrë nga Norvegjia, të cilat kanë pasur një afat skadence jo optimal, që do të na kishte garantuar administrimin për qytetarëve tanë. Ne i kemi falënderuar dhe i kemi refuzuar sepse ka pasur rrezik se nuk do të mund t’i administrojmë”, tha Vitia.
Po ashtu Vitia ka folur për mundësinë e përhapjes së variantit të ri të COVID-19 Mu dhe tha se janë duke e përcjellë situatën.
Ai tha se për këtë është koordinuar me IKShPK-në dhe se janë në vëzhgim të secilit variant të mundshëm.
“IKShPK na ka njoftuar menjëherë se është një variant që dihet shumë pak për të, por edhe nga mekanizmat kredibilë dihet pak për të. Bashkë me IKShPK-në jemi duke e përcjellë me shumë vëmendje jo vetëm për këtë variant, por edhe të tjerë. Do të vijmë në përfundime të tilla në qoftë për masa apo diçka tjetër që vijnë nga rekomandime të ekspertëve”.