Pasi arritën fitoren e parë historike në kualifikime për Kampionat Botëror, sot “Dardanët” do të tentojnë ta arrijnë edhe të dytën brenda tri ditëve. Por përballë vetes Kosova do ta ketë një kundërshtar edhe më të vështirë.
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova do ta presë Greqinë në ndeshjen që nis me fillim nga ora 20:45.
Përveç dy ekipeve, stadiumi “Fadil Vokrri” do të mirëpres edhe tifozët “Dardanët” që rikthehen për ta përkrahur kombëtaren nga tribunat pas dy viteve, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.
Ndonëse me vetëm 10% të kapacitetit të stadiumit, “Dardanët” do të jenë pa dyshim lojtari i 12-të i Kosovës sonte.
Pas ndeshjes me Greqinë, Kosova pikërisht në stadiumin “Fadil Vokrri” e zhvillon edhe ndeshjen tjetër të kualifikimeve për Kupë të Botës, ku do ta presë Spanjën më datë 8 shtator, me ç’rast i mbyll ndeshjet e muajit shtator.