Zëvendës kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, njëherëshi deputet në Kuvendin e Kosovës, Xhavit Haliti në një intervistë për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se vonesat në emërimin e ambasadorëve të rinj, shpërfaq problemet që mund të kenë kryeministri aktual, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ai me këtë rast ka thënë se ambasadorët duhet të jenë ‘shërbëtor’ të qytetarëve kosovar, që banojnë në shtete të ndryshme të botës, dhe jo ‘shërbëtor’ të politikave të caktuara.
“Çështja e ambasadorëve të Kosovës është më shumë cështje e përfaqësimit formal nëpër vende të caktuara, problemet i shkakton politika shtetërore që mund të bëjë Qeveria, çoftë të mira apo të këqija, sepse ambasadorët janë bartës të kontaktit, dhe ‘shërbëtor’ të qytetarëve të Kosovës që kanë nevoja për ta. Vonesa në emërimin e tyre, janë cështje po besoj probleme në mes të koalicionit aktual të qeverisë, apo ndoshta një mos pajtim midis kryeministrit dhe presidentes së kush duhet të përfaqësoj në një shtet të caktuar”, theksoi Haliti për Gazetën “Enigma”.
Tutje ai shtoi se pavarësisht vonesave të deritanishme në krye të ambasadave ku nuk ka ambasador duhet të vihen njerëz të përzgjedhur që e përfaqësojnë denjësisht vendin.
“Mirë është që sa më shpejt, jo duke u ngutur por duke përzgjedhur cilësinë që e përfaqëson nivelin dhe peshën e ambasadorit që dërgohet në një shtet të rëndësishëm, jo vetëm përfaqësimin partiak, kjo është kryesorja”, shtoi tutje deputeti i PDK-së, Haliti.
Ai po ashtu shtoi se “Ne duhet të ndërtojmë politika të mira shtetërore në raport me qytetarët tanë të cilëve ju shërbehet. Unë nuk jam për tu ngutur ky proces, por për cilësi, për të krijuar politika, dhe për ti dërguar njerëzit në vendet përkatëse me misione dhe detyra të caktuara”.
Deputet nga subjektet opozitare, tashmë disa herë i kanë kritikuar vonesat e ekzekutivit në drejtim të emërimit të ambasadorëve të shkarkuar.
Ndërkaq, më 19 maj të këtij viti Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka propozuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të lirojë nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të cilët janë të emëruar politikisht.
Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.
Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.
“Të emëruarit në pozitën e Ambasadorit dhe Shefit të Misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, thuhet në ligj/Gazeta Enigma.