Krasniqi pas takimit me Osmanin: Besoj se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve, të pezullohet fushata

Krasniqi pas takimit me Osmanin: Besoj se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve, të pezullohet fushata

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, deklaroi se në takimin konsultativ me partitë nuk u vendos që të shtyhen zgjedhjet lokale, raporton Gazeta “Enigma”.

Ai theksoi se qëndrimi i partive opozitare ishte kundër shtyerjes së zgjedhjeve, porse u propozua që të shkurtohet në pesë ditë, ose të pezullohet krejtësisht fushata.

“Patëm një takim ku diskutuam për qëndrimet tona lidhur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Unë në takim thash se raporti i IKSHPK-së konfirmon se situata është keqësuar si pasojë e keqmenaxhimit të situatës me COVID-19”, tha Krasniqi, raporton tutje “Enigma”.

LEXO EDHE: Kurti: Zgjedhjet lokale nuk janë sikur ato qendrore, kemi kërkuar shtyrjen e tyre

Tutje ai theksoi se në këtë takim ka kërkuar që së bashku të veprohet për ta përmirësuar situatën dhe prioritet të jetë shëndeti i qytetarëve.

“Jemi të gatshëm të shkurtojmë fushatën por edhe të pezullohet ajo. Duhet të ketë respektim rigoroz të masave të rekomanduara nga institucionet përkatëse dhe të ndërmarra nga Qeveria”, deklaroi ai.

I pyetur nëse një gjë e tillë mori përgjigje pozitive nga Kurti e Osmani, Krasniqi tha se nuk u shpreh gatishmëri nga ta.



Ndërkohë pas këtij takimi foli edhe përfaqësuesi i AAK-së, Muharrem Nitaj. Ai pohoi se kërkesë e kryeministrit Kurti ishte që të shtyhen zgjedhjet, porse sipas tij një gjë e tillë u kundërshtua nga partitë opozitare.

“Nuk pati pajtim midis partive politike. Kështu që që zgjedhjet do të mbahen në ditën që ka qenë e caktuar. Presidentja tha se pa konsensus politik nuk mund të marrë vendim dhe të shtyjë zgjedhjet me vendim të saj. Kurti tha se dëshiron të shtyjë zgjedhjet por nuk do të impononte vendimin e tij”, tha ai.

Ai konfirmoi se fushata pritet të mbahet vetëm pesë ditë./Gazeta “Enigma”

Related Articles