I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë është takuar me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, raporton Gazeta “Enigma”.
Po ashtu diplomati i BE-së do të takohet edhe krerë të partive politikë në vend kurse pasdite edhe me drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme Lajçak u takua me kryeministrin Albin Kurti dhe më zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Lajçak, pas takimit tha se nuk ka biseduar për hapjen e arkivave të Kosovës. Ai tha se është duke punuar për të caktuar një takim të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kurse Kurti vetëm përmes një komunikate për media ka dhënë detaje rreth këtij takimi.
Mbarëvajtja e procesit të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të takimit.
Kurti konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së, dhe perspektivën evropiane të rajonit.