Ndeshje spektakolare në Gjilan, Ulpiana befason Gjilanin

Ndeshje spektakolare në Gjilan, Ulpiana befason Gjilanin

Ndeshje spektakolare është zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjilan mes Gjilanit dhe Ulpianës.

Skuadra lipjanase ka arritur të marrë tri pikët, ku ka shënuar fitore 2-3.

Gjilani rrezikoi e para, ku në minutën e shtatë Besar Musolli goditi fuqishëm, por goditja e tij shkoi mbi portë.

Mysafirët u kundërpërgjigjën në minutën e 23-të, kur Santos goditi shtyllën nga afërsia. Me rezultatin e barabartë 0-0 përfundoi pjesa e parë.

Me të nisur pjesa e dytë, nisi dhe spektakli në Gjilan. Besar Musolli realizoi në minutën e 47-të për 1-0. Por tre minuta më vonë Marcelei Santos barazoi nga penalltia 1-1.

Ulpiana fitoi një tjetër penallti në minutën e 67-të, kur Koliqi priti goditjen e Marcelei, por gjyqtari e përsëriti atë pasi një futbollist i Gjilanit ishte futur brenda zonës.

Marcelei goditi përsëri dhe kaloi lipjanasit në epërsi 1-2.

Gjilani u rikthye në lojë, kur në minutën e 89-të Fiton Hajdari me një goditje të fuqishme barazoi gjithçka në 2-2.

Por mysafirët në minutën e 98-të falë një kundërsulmi të shpejtë shënuan golin e fitores me anë të Trimnor Selimit 2-3.

Me këtë fitore Ulpiana ngritët në tetë në tabelë me katër pikë, derisa Gjilani mbetet në vendin e gjashtë me gjashtë pikë pas pesë ndeshjeve.

Javën e ardhshme Gjilani luan derbin lokal në udhëtim te Drita, derisa Ulpiana do të jetë nikoqire e Dukagjinit të Klinës.

Related Articles