Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka thënë se të premten e 24 shtatorit pritet të miratojë masat e reja kundër përhapjes së pandemisë me COVID-19, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Si pikë e cila është diskutuar më shumë është kërkesa për dëshminë e vaksinimit në hyrjen e objekteve të gastronomisë, qendrave tregtare dhe në shumë institucione publike e private.
Vitia ka thënë se nga data 27 shtator do të fillojë mësimi në shkolla ndërsa aktivitetet sportive në ambientet e mbyllura mund të zhvillohen me 10 për qind të kapacitetit dhe vetëm pasi që pjesëmarrësit të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit ose testet PCR apo antigjen. Derisa, i njëjti rregull do të vlejë edhe për organizimet kulturore.
E në ambientet e hapura mund të zhvillohen aktivitetet me 30 për qind të kapacitetit me të njëjtin rregull të pjesëmarrjes.
Autoritetet në Kosovë vendosën masa të reja kufizimi pasi situata epidemiologjike ishte përkeqësuar në fund të muajit gusht, derisa 29 gushti rezultoi si ditë e zezë për Kosovën, ku u regjistruan 36 viktima nga COVID.
Vlen të theksohet se gjatë muajve të verës në Kosovë ka qenë një gjendje e qetë dhe pa masa kufizuese ku do të parandalonte përhapjen e koronavirusit.
Ministri Vitia ka thënë se deri më tani 62 .1 për qind e popullatës mbi 16 vjeç është vaksinuar me një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa 38.7 janë vaksinuar me dy doza.
“Nuk kemi alternativë tjetër përveç vaksinimit sepse vetëm në këtë mënyrë parandalojmë një valë të re të pandemisë”, tha Vitia.
Infektologu, Xhevat Demiri në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se vendimi i MSh-së për vaksinimin është i domosdoshëm pasi që në këtë proces problem po paraqet hezitimi i qytetarëve që të imunizohen.
“Vendimi që në hapsira të mbyllura të ju lejohet hyrja vetëm për ata që janë të vaksinuar, apo edhe me teste negative është një e keqe e domosdoshme, por edhe e kapshme për gastronomin, këtë vendim po e aplikojnë në shumicën e vendeve europiane, pra është e domosdoshme”, ka thënë ai.
Demiri vlerson se duke pasur parasysh që tani janë edhe zgjedhjet lokale nuk ka mundësi që të vaksinohen 60 për qind e popollatës siç pretendon Qeveria.
“Nuk mendoj njejtë si Qeveria të cilët po thonë se derio në fund të këtij viti do të vaksinojnë mbi 60 për qind të popullatës nëse shkohet me këtë trend kur dihet se tanmi kemi edhe zgjedhjet lokale, vlersoj se e kemi gati të pamundëshme të kemi atë përqindje të vaksinimit”, ka deklaruar ai.
Njëherit, Demiri ka thënë se “Duhet më shumë propagandë të ketë nga institucionet shëndetësore që të rrisin vetëdijësimin e qytetarëve për vaksinim, e jo politikanët të dalin me mesazhe”, ka përfunduar Demiri.
Ekspertët e shëndetësisë në Kosovë theksojnë se imuniteti ndaj koronavirusit do të arrihet vetëm atëher kur të vaksinohen 70 deri në 80 për qind e popullatës.
Deri më tani në Kosovë, numri i dozave të vaksinave të administruara është 1.226.063 ./Gazeta Enigma/