Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja lehtësuese antiCOVID.
Vitia në konferencë ka thënë se shumica e masave të reja, të cilat do hyjnë fuqi në 27 shtator, janë nga ato të kaluarat, derisa si masë e re konsiderohet mbajtja e mësimit në shkolla nëpërmjet prezencës fizike në grupe prej 20 personash.
Po ashtu, sipas ministrit, të gjithë personat që ia mësyjnë të hyjnë në ambiente të mbyllura do t’u kërkohet kartela e vaksinimit ose testi negativ.
Vitia ka thënë se masat e marra disa javë më parë janë treguar jetike në menaxhimin e situatës me COVID-19.
Ai ka bërë të ditur se krahas disa masave që nuk ndryshojnë, është vendosur që duke filluar nga 27 shtatori të fillojë mësimi në shkolla dhe puna në çerdhe.
Sipas tij, procesi mësimor parauniversitar zhvillohet sipas skenarit përkatës, mirëpo siç ka thënë parakusht është prania e jo më shumë se 20 nxënësve në klasë.
Sa i përket funksionimit të gastronomisë, Vitia ka thënë se sipas masave të reja, stafi dhe klientët duhet të posedojnë vaksinën ose testin negativ.
“Nga 27 shtatori lejohet shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura 50% e të hapura deri në 70%. Sa u përket qendrave tregtare dhe qendrave të tjera duhet të posedojnë dëshmitë e cekura më lartë këto vlejnë edhe në institucione publike e private dhe biznesi që ka punë me palë”, ka thënë Vitia.
Ai ka bërë thirrje edhe njëherë për vaksinim duke shtuar se Kosova deri më tani ka administruar mbi 1 milionë e 200 doza të vaksinës.