Vendosja e reciprocitetit nga ana e Qeverisë së Kosovës ka bërë që serbët në veri të vendit të revoltohen dhe të bllokojnë rrugët që çojnë në dy pikat kufitare, Jarinje dhe Bërnjak, shkruan Gazeta Enigma.
Lëvizjet e aeroplanëve përmbi veri nga territori i Serbisë, e veçmas futja e pjestarëve të KFOR-it në pjesën kufitare, kanë bërë që të ketë reagime të shumta.
Vlen të theksohet se për situatën në veri, është thirrur edhe një takim për bisedime mes Kosovës dhe Serbisë në lidhje me gjendjen aktuale.
LEXO EDHE: Të mërkurën vazhdon dialogu, në takim merr pjesë edhe Escobar i SHBA-së
Zëdhënësi i KFOR-it, Emanuel Minutella, ka thënë për Gazetën “Enigma”, se kanë shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të trafikut dhe kanë vendosur njësitë e tij në pikat e kalimit kufitar në Jarinje dhe Bërnjak.
Minutella po ashtu bëri të ditur se KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime me të gjitha palët e përfshira në ndërprerjen e protestave në Kosovën veriore.
“Masat e miratura, të diskutuara më parë nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha instituticionet në Kosovë dhe me kryetarët e Komunave të Veriut, kanë për qëllim favorizimin e një përshkallëzimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi dhe lirie të sigurt të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka potencuar ai.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovë, Ferat Shala, situatën në veri e ka cilësuar si jo të mirë, por sipas tij nuk është shqetësuese.
“Ky është momenti që është përdorë në situatë politike të brendshme që jashtëzakonisht është e dëmshme për vendin, ku në situata të tilla tentohet që të jepet karakter elektoral”, ka thënë ai për Gazetën “Enigma”.
Sipas tij, kjo situatë do të kaloj me ndihmën e partnerëve të Sheteteve të Bashkuara të Amerikës.
A do të largohet Policia e Kosovës në rast të ndonjë marrëveshje me KFOR-in?
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës po qëndron në pikat kufitare me Serbinë për siguri të qytetarëve dhe kjo sipas tij nuk është as provokim, as kërcënim për asnjë qytetar por përkundrazi sipas tij, ligjshmëria në veri është parakusht për zhvillim, mirëqenie e prosperitet të vendit dhe qytetarëve atje.
“Në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit, angazhimet tona nuk përbëjnë kurrfarë dallimi dhe do të sigurohemi që rendi dhe ligji të sundojnë në krejt vendin. Policia e Kosovës qëndron në pikat kufitare për siguri të qytetarëve dhe respektim të plotë të vendimeve legjitime të qeverisë demokratike të Kosovës. Kjo nuk është as provokim, e as kërcënim për asnjë qytetar të Republikës sonë, përkundrazi ligjshmëria në veri është parakusht për zhvillim, mirëqenie, prosperitet të vendit dhe qytetarëve atje”, tha ministri Sveçla.
Ndërsa, deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të tërhiqen forcat e Policisë së Kosovës, çdo njësi ushtarake si dhe barrikadat e vendosura me mjete të rënda në pikëkalimet kufitare mes dy vendeve, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Jo të gjithë po e përkrahin vendimin e Kosovës për reciprocitetin e targave të përkoshme ndaj Serbisë
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka thënë se situata është shumë shqetësuese dhe se të dyja vendet duhet të ulin tensionet e të rikthehen në dialog.
“Keni punuar për çështjen e bashkëpunimit dhe keni pasur arritje. Rritja e tensioneve Kosovë-Serbi është shqetësuese dhe është thelbësore të ulet tensioni dhe të rikthehen në dialog. Edhe BE u ndërtua në bazën e dialogut dhe më pas në bazës e zhvillimit ekonomik. Ky është një proces i gjatë që sjell një të ardhme me paqe dhe begati. E përgëzoj Shqipërinë për përparimin që ka patur në Reformën në Drejtësi. Duhet t’i hedhim sytë drejtë së ardhmes, por nuk duhet të harrojmë se çfarë është bërë, për luftën kundër krimit të organizuar dhe e di që tani po punoni për luftën kundër pastrimit të parave”, ka thënë ajo.
Zëdhënësja e kësaj ministrie, Marija Zakharova, ka deklaruar se situata është duke u përkeqësuar, duke pasuar me pohimin se “Kosova dëshiron që ta shtrijë kontrollin në gjithë territorin e saj”.
Java e dytë e bllokadës, çfarë po ndodhi në Veri?
Është java e dytë prej kur gjendja në veri të vendit mbetet e tensionuar. Në njërën anë janë banorët serb të asaj zone që po vazhdojnë protestën, e në anën tjetër Njësia Speciale e Kosovës që po monitoron gjendjen.
Protestat e serbëve nisën, në orët e para të mëngjesit të së hënës së 20 shtatorit, kur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u nisën për në dy pikat kufitare në veri të Kosovës, përkatësisht më Jarinje e Bërnjak.
Kjo për shkak se iu kërkua të zbatojnë një vendim të urdhëruar nga Qeveria e Kosovës për të filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Kosova në Serbi./Gazeta Enigma/.