Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von Der Leyen, ka vizituar Tiranën më 28 shtator, ku u takua me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, transmeton Gazeta “Enigma”.
Shumëçka u tha, e shumëçka mbeti e paqartë.
Ndryshe nga deklarimet e mëparshme të zyrtarëve evropian, Von der Leyen doli në mbështetje të iniciativës “Open Balkan”.Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Edi Rama, Von Der Leyen theksoi se iniciativa e treshes “Rama-Zaev-Vuçiq”, “Ballkani i Hapur” duhet të jetë një proces i hapur, gjithëpërfshirës dhe që thellon bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit.
“Mendoj që po të shohim ecurinë ekonomike dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike, si edhe tregun e përbashkët rajonal. Mendoj se procesi i Berlinit po e shtyn procesin e integrimit para, si kuadër në të cilin 6 vendet e rajonit do të përfitojnë. Çdo iniciativë që është brenda procesit të Berlinit dhe që sjell bashkëpunimin, mirëpritet prej nesh”, ka thënë Von Der Leyen.
Ajo gjatë kësaj vizite në Tiranë foli edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke thënë se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë që jenë në BE dhe për këtë nuk ka asnjë pikëdyshimi”, është shprehur ajo.
“Situata në veri shqetësuese”
Ursula Von der Leyen komentoi edhe tensionet midis Serbisë dhe Kosovës.
Ajo tha se situata është shumë shqetësuese dhe se të dyja vendet duhet të ulin tensionet e të rikthehen në dialog, duke shtuar faktin se BE pas luftës u rindërtua fillimisht në dimensionin ekonomik, hap ky që sipas saj solli me vonë edhe pajtimin.
“Keni punuar për çështjen e bashkëpunimit dhe keni pasur arritje. Rritja e tensioneve Kosovë-Serbi është shqetësuese dhe është thelbësore të ulet tensioni dhe të rikthehen në dialog. Edhe BE u ndërtua në bazën e dialogut dhe më pas në bazës e zhvillimit ekonomik. Ky është një proces i gjatë që sjell një të ardhme me paqe dhe begati. E përgëzoj Shqipërinë për përparimin që ka patur në Reformën në Drejtësi. Duhet t’i hedhim sytë drejtë së ardhmes, por nuk duhet të harrojmë se çfarë është bërë, për luftën kundër krimit të organizuar dhe e di që tani po punoni për luftën kundër pastrimit të parave” ka shtuar ajo.
Rama: “Mini-shëngeni” do të ndodhë herët apo vonë
Ndërsa, nga ana tjetër kryeministri Rama ka thënë se shtetet që ende nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj iniciative, do t’i bashkohen herët a vonë.
“Ballkani i Hapur është vendosur dhe të bëhet dhe çdo vit e më shumë do të provohet që është gjëja e duhur. Ballkani i Hapur do të jetë patjetër hapësira ku do të vijnë (Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina), njëri pak më shpejt, tjetri pak më vonë. Dhe kush vjen më vonë thjesht i humbet kohë vendit dhe popullit të vet. Kaq e thjeshtë është kjo” ka thënë ai.
Kjo ide, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Në kuadër të “mini-Shengenit” ballkanik, u nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik. Kjo marrëveshje u arrit nga tre liderët, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ai shqiptar, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidentja e Komisionit Evropian gjatë ditës së martë, vizitoi një kopsht për fëmijë të ndërtuar me fonde nga KE, në Qerek të Krujës.
Ajo sot po qëndron në Shqipëri, ndërsa të mërkurën do ta vizitojë Kosovën./Gazeta “Enigma”/