Kryeministri Albin Kurti tha se Bashkimi Evropian ka pranuar në parim vendimin për reciprocitetin e targave, sipas tij vetëm ka mbetur që të shqyrtohet veprimet më tutje për zbatimin e këtij vendimi.
Kurti, ndër tjerash, tregoi po ashtu propozimin që e mori të hënën nga komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Franco Federici. Ai tha se i është propozuar që të hiqen barrikadat dhe pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të zëvendësoheshin nga anëtarë të KFOR-it.
Tutje, ai në lidhje me takimin e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me kryenegociatorin e Prishtinës për dialogun, Besnik Bislimin dhe atë të Beogradit, Petar Petkoviq, tha se shpreson që të gjendet një zgjidhje.
“Me sa jam në dijeni, zëvendëskryeministri ynë, Besnik Bislimi do të zhvillojë takime të ndara me emisarin Miroslav Lajçak, dhe më pas mbase do të ketë takim me homologun e tij nga Serbia në këtë takim. Unë uroj e shpresoj që të gjendet zgjidhja aty. Gatishmërinë tonë e kemi treguar edhe të hënën në mëngjes kur erdhi te unë komandanti i KFOR-it, i cili pak a shumë e dha një propozim, që ishte racional e që nënkuptonte heqjen e barrikadave dhe zëvendësimin e njësive speciale deri në një qetësim të situatës nga pjesëtarët e NATO-s apo KFOR-it. Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak apo Jarinjë dhe reciprociteti i targave do të vazhdonte. Ne në parim e kemi pranuar këtë”, tha Kurti.