Virusi COVID përveç se ka rrezikuar jetët e shumë qytetarëve, ka rrezikuar edhe ata personat në detyrë të cilët ishin në vijën e parë të frontit, shkruan Gazeta Enigma.
Veçmas gjatë pandemisë, Policët kanë qenë të rrezikuar, por të njetit nuk kanë sigurim shëndetësor. Nëse gjatë kësaj kohe, infektohen me virusin COVID ata duhet të paguajnë vet për shërimin e tyre.
Ndërsa, në një përgjigje me shkrim për Gazetën “Enigma”, nga Zyra e Informimit të Policisë së Kosovës të njetit kanë thënë se i ofrojnë mbështetje çdo punonjësi të lënduar në detyrë.
“Përkrahje në pushimin mjekësor me pagesë deri sa ti rikthehet aftësia për punë në Detyrë për çdo Punonjës të lënduar në detyrë; Sigurimi i Trajtimit jashtë vendit, kur trajtimi nuk është i mundshëm në Kosovë, dhe kompensimi i Trajtimit; Rehabilitimi i Punonjësit të PK-së të lënduar në Operacione Policore në Qendër Rehabilituese; Kompensimi i shpenzimeve të trajtimit të ngjarë për shkak të Lëndimit në detyrë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, ka deklaruar për Gazetën “Enigma” se që nga viti 2018 gjatë takimeve me Policinë e Kosovës është formuar një grup punues me të gjitha kompanitë e sigurimeve dhe është prezantuar një raport ku parashiheshin tri pako të ndryshme të sigurimeve.
Madje, sipas tij aty është paraparë edhe çmimi që do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës, derisa ai ka theksuar se shuma vjetore ishte 3.7 deri në katër milionë për nëntë mijë Policë në Kosovë.
Mazreku tutje ka thënë se dokument-propozimi është dërguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Komisione Parlamentare e në Qeveri.
“Unë e kam parë që nuk ka pasur vullnet politik që dikush të merret me këtë punë”, ka thënë Mazreku.
Edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka folur për këtë çështje i cili e ka konsideruar si neglizhencë nga niveli politik në Kosovë.
Madje, ai ka theksuar se siç shihet as në këtë mandat nuk pritet nga niveli dhe gadishmëria politike që të përmbushet kërkesa themelore për sigurimin shëndetësorë për pjestarët e Policisë.
“Policia e Kosovës që nga themelimi i saj në SHPK dhe shëndrimit të saj në PK, niveli politik në Kosovë nuk ka mundur që të arrijë që komponentës së sigurisë t’i ofrojë mundësitë e nevojshme sa i përket sigurimit të kushteve për të ushtruar profesionin pa e menduar jetën e tyre private”, ka thënë Shala për Gazetën “Enigma”.
Sipas tij, karta e sigurimit shëndetësorë është duke u përdorur vetëm në kohë fushate apo në momentet e caktuara politike nga të gjithë.
Ndryshe, Ligji për sigurime shëndetësore është miratuar në vitin 2014 nga Kuvendi i Kosovës.
/Gazeta Enigma/.