Kryeministri Albin Kurti ka thënë se dita kur po betohen 180 rekrutët e rinj të FSK-së ka një rëndësi të madhe.
“Të dashur rekrutë ushtarë të Republikës së Kosovës, sot për ju, për familjet tuaja, për FSK-në dhe vendin tonë është një ditë e veçantë. Ushtrisë së Kosovës po i shtohen edhe 180 ushtarë të trajnuar, të përgatitur dhe të gatshëm për t’i shërbyer atdheut dhe për të mbrojtur qytetarët dhe territorin e vendit tonë”, ka thënë ai.
“Gjatë nëntë javëve të trajnimit ju jeni ballafaquar me sforcim fizik, ngarkesa psiqike dhe detyra akademike, larg familjeve nën disiplinë dhe vështirësi të tjera që s’i keni hasur më parë. Të gjitha këto sfida e kanë pasë vetëm një qëllim – t’iu përgatisin për të qenë ushtarë të Ushtrisë së Kosovës për t’i shërbyer paqes me përkushtim të lartë dhe vetëmohim” ka theksuar Kurti.
Ai i tha ushtarëve të rinj të FSK-së se sot është dita për të festuar të gjitha arritjet e tyre.
“Ju tash e tuje të shërbeni në forcë e cila po modernizohet e zhvillohet për ditë e më shumë, në FSK-në e cila e bëri vendin tonë për herë të parë vend pritës të një prej ushtrimeve më të mëdha të drejtuara nga ushtria e SHBA-së “Defender Europe 21” si dhe për herë të parë bëri që flamuri jonë shtetëror të valojë në kuadër të operacionit të mbështetjes së paqes në Lindjen e Mesme dhe të forcës që shtriu dorën për t’i ndihmuar misionit të NATO-s në evauukimin e qyteravë afganë në shërbim të së mirës dhe në mbrojtje të jetës”.
Kurti ka thënë se qeveria që ai drejton do ta ketë si një nga prioritetet kryesore FSK-në.
“Rritja e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në tregon për përkushtimin tonë që kemi për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe territorin tonë. Kjo tregon gjithashtu për përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes jo vetëm në vend, por edhe në rajon dhe më gjerë”.
“Në ju ne shohim përkushtimin e vendit tonë, ndjenjën e shërbimit e detyrës, nderit e krenarisë dhe të dashurisë së pakusht për shtetin dhe popullin tonë”.
Shefi i qeverisë kosovare i është drejtuar edhe familjarëve të ushtarëve të rinj të FSK-së duke thënë se “bijat dhe bijtë tuaj nga sot janë më shumë se vetja e tyre”.
“Ata janë krenaria juaj dhe secilit nga ne, sepse nga sot ata veshin uniformën e ushtarit të Republikës sonë e cila arriti në këtë ditë falë mundit, gjakut dhe sakrificës së shumë gjeneratave”, ka thënë Kurti derisa ka falënderuar edhe oficerët e FSK-së që kanë trajnuar rekrutët.
Ai e ka cituar edhe gjeneralin amerikan Douglas MacArthur, derisa ka uruar rekrutët për diplomimin e tyre.
“Gjenerali amerikan Douglas MacArthur, që komandoi paqësorin jugperëndimor në Luftën e Dytë Botërore, ka thënë se ushtari më shumë se çdo gjë tjetër lutet për paqe. Ushtria jonë duhet të forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin”.
“Ju uroj diplomimin tuaj dhe fillimin e shërbimit në FSK i bindur plotësisht se do t’i shërbeni vendit me nder dhe krenari dhe do të jepni gjtihçka nga vetja juaj për të siguruar një Kosovë më të drejtë, të barabartë dhe të sigurt për të gjithë”. /Gazeta “Enigma“/