Gjithçka që ndodhi gjatë kësaj jave në Kosovë

Gjithçka që ndodhi gjatë kësaj jave në Kosovë

Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën më 17 tetor kurse të dielën nga ora 11:00 ka filluar numërimi i votave nga diaspora, të ardhura përmes postës gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor 2021,shkruan Gazeta Enigma.

Mbi nëntë mijë pako janë me fletëvotime nga diaspora të aprovuar, ndërkaq janë refuzuar mbi një mijë të tjera.

Partitë politike të cilat ishin garuese në këto zgjedhje ishin Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA.

Nga të dhënat e KQZ-së, në 17 komuna nxorën kandidatin fitues, kurse në 21 komuna të tjera pritet të ketë raunde të dyta.


Ndërsa, sa i përket votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se janë në fazën gati përfundimtare të verifikimit para se të bëhet numërimi i tyre.

“Ka mbetur që të krahasohen votuesit me kusht me qytetarët që kanë votuar në vendvotimet e rregullta, në mënyrë që ta dimë nëse një person ka votuar dy herë: në vendvotimin me kusht, por edhe në vendvotimin e rregullt. Kjo është vepër penale”, është shprehur ai.

Si dolën partitë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit?

Lëvizja Vetëvendosje në raundin e parë nuk fitoi asnjë komunë, derisa shkoi në balotazh në 12 prej tyre.

Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës fitoi në katër komuna, ndërsa në balotazh shkoi në nëntë komuna. Kandidatë për kryetarë komune për kryeqytet nga radhët e kësaj partie ishte Uran Ismaili.

Derisa, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në dy komuna, kurse në nëntë komuna shkoi në balotazh. Përparim Rama, ishte kandidati për kryetarë komunë të Prishtinës nga kjo Parti.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi Suharekën e Deçanin, kurse në balotazh shkoi në Gjakovë dhe katër komuna të tjera.

Ndërkaq në Han të Elezit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa anuloi zgjedhjet, pasi kjo e fundit pranoi ankesën e kryetarit të kësaj komune, Rufki Suma.

E në anën tjetër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të dërgojë në rinumërim  edhe 23 vendvotime në total, të cilat nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta, pasi ka pasur probleme të natyrave të ndryshme, kryesisht teknike.

Vendvotimet i takojnë komunave të ndryshme. Tetë janë për zgjedhjet për kryetarë të komunave e 15 tjera për zgjedhjet për kuvende komunale.

Ndërsa procesi i zgjedhjeve të 17 tetorit u karakterizua me shumë pak incidente.

U raportua vetëm për falsifikimin e rezultateve të votave, keqpërdorim i të drejtës së votimit, parandalim i ushtrimit të së drejtës për të votuar, cenim I fshehtësisë së votimit, fotografim fletëvotimin dhe pengim të procesit të votimit.

LEXO EDHE: Të gjitha incidentet që ndodhën gjatë procesit zgjedhor

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë potencuar se raundi i dytë do të mbahet 14 nëntor, derisa në balotazh do të shkojnë 21 komuna.

Ndryshe, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë 5 ditë kohë për të zhvilluar fushatën zgjedhore.

Masat e reja antiCOVID, zgjatet orari i lëvizjes, maska mbetet obligative kurse gastronomët protestojnë të dielen

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur në formë elektronike miratoi masat e reja antiCOVID të cilat kanë hyrë në fuqi nga dita e shtunë e 23 tetorit, shkruan Gazeta Enigma.

Sipas njoftimit të Qeverisë, maska vazhdon të jetë obligative për qytetarët e vendit.

Ndërkohë edhe orari i lëvizjes së qytetarëve ka ndryshuar, ku kufizimi i qarkullimit tani është nga ora 00:00 deri në orën 05:00

E shërbimet e gastronomisë u lejuan të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00.

Në masat e reja që u publikuan, klubet e natës vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe dasmat nuk lejohen të mbahen.

Ndërsa u lejuan funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjarëve të ngushtë, duke siguruar që pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej 1 metër nga njëri-tjetri.

Në anën tjetër, në këtë vendim të Qeverisë u diskutua edhe për zhvillimin e punës në institucionet e arsimit.

Procesi mësimor në institucionet parashkollore dhe qëndrimit ditor do të vazhdojë në mënyrë të rregullt si dhe ato parauniversitar, me prani fizike dhe orar të rregullt.

Mësimi zhvillohet me prani fizike me kushti që grupet mbi 50 persona të akomodohen jo më shumë se në 50 për qind të hapësirës.

Të pa kënaqur më këtë vendim doli Shoqata e Gastronomëve, madje kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi ka paralajmëruar protesta para Qeverisë së Kosovës të dielën me fillim nga ora 21:30.

Skandali i përfshirjes së dy agjentëve të AKI-së dhe ndërrimi i identiteteve në rastin “Syri i Popullit”

Të premten u raportua se ish-prokurori special, Sylë Hoxha me ish-drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës, Driton Gashi, kishin përfshirë dy agjentë si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të rrejshme në rastin “Syri i Popullit”.

Sipas hulumtimit të Paparacit thuhej se këta dy agjentë kishin dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë kundër anëtarit të LLV-së i cili ishte akuzuar për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës terroriste nga Murat Jashari.

Marrëveshja e Hoxhës dhe Gashit kishte rezultuar me dhënien e identiteteve fiktive për ta shpalljen dëshmitarë të mbrojtur në këtë proces.

Mirëpo, Gjykata kurrë nuk ishte njoftuar për këto veprime, vetëm ka miratuar kërkesën e prokurorit për t’ju dhënë statusin e dëshmitarit.

LEXO EDHE: Skandal: Agjentë të AKI-së dëshmitarë të rrejshëm – përmenden Thaçi, Veseli, Kurti e Konjufca

Lidhur më këtë u deklarua avokati, Fanol Krasniqi, i cili po mbron zyrtarin e AKI-së që ishte arrestuar për dyshimet e nxjerrjes së informacioneve kofidenciale.

“Ai dyshohet se i ka nxjerrë disa informacione konfidenciale. Detyra e klientit tim është IT, para disa muajve ai ka pranuar disa hard disqe me të dhëna dhe i ka pastruar dhe i ka formatizu siç është ë përcaktuar me ligj”, kishte thënë Krasniqi .

Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e paraburgimit me kohëzgjatje prej një muaji për zyrtarin e AKI-së lidhur me zbulimin e informacioneve të klasifikuara nga ky institucion

Në anën tjetër reagime pati edhe nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ku ai pa përmendur emra akuzoi prokurorët se janë të përfshirë në veprime kriminale.

“Në vend të ndjekjes së kriminelëve, ditëve të fundit, por jo vetëm, po dëshmohet që vet prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale. Është nevojë urgjente që kjo situatë të ndryshojë”, kishte thënë ai.

E deklaratat e këtij të fundit, Këshilli Prokurorial i Kosovës i cilësoi si linçuese, duke paralajmëruar ndërprerje të bashkëpunimit ndër-institucional.

“Nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional”, u tha në reagim.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ i pavarur kushtetues nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë interferim nga askush për çfarëdo interesi personal, grupor apo politik të cenojë integritetin e sistemit prokurorial”, thuhej tutje në reagimin e KPK-së.

Ndaj këtyre raportimeve reagime kishte edhe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke kërkuar që ish-prokurori Hoxha të dalë para drejtësisë./Gazeta Enigma/

Related Articles