Policia e Kosovës ka identifikuar dy persona të dyshuar për vrasjen e 26-vjeçarit me inicialet A.M., mbrëmë në Mitrovicë.
Ata janë vënë në kërkim nga Policia e Kosovës, teksa Express nga burime brenda Policisë së Kosovës mëson se njëri nga të dyshuarit për vrasjen e të riut është L.B., vëllai i V.B., i arrestuar për vrasjen e një studenti me kallashnikov në afërsi të gjimnazit “Frank Bardhi”, në Mitrovicë, në vitin 2016.
L.B. i cili është vënë në kërkim të Policisë së Kosovës, si i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”, ka qenë edhe më parë i arrestuar nga Policia e Kosovës.
Siç raportonte “Betimi për Drejtësi” në 2018-ën, L.B., ishte arrestuar gjatë vitit 2018 për armëmbajtje pa leje, në afërsi të objektit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Kjo kishte ndodhur gjatë kohës sa po mbahej gjykimi për vëllain e tij, i arrestuar për vrasjen me kallashnikov të një studenti në afërsi të gjimnazit “Frang Bardhi”, në Mitrovicë, teksa është e paqartë nëse i njëjti është dënuar për këtë vrasje, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Asokohe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, pati konfirmuar arrestimin e tij teksa pati dhënë detaje edhe për llojet e armëve që ai posedonte në momentin e arrestimit.
“Në orët e mesditës së sotme të datës 1 shkurt 2018, Policia në Mitrovicë ka arrestuar dy persona të dyshuar si dhe janë sekuestruar dy armë. Arrestimi i të dyshuarve L. B., 18 vjeçar dhe V. A., 21 vjeçar, është bërë në sheshin “Isa Boletini’’ në Mitrovicë, me ç’rast gjatë kontrollit të detajuar tek dy të dyshuarit në posedim janë gjetur dy armë të llojit pistoletë për të cilat të dyshuarit nuk posedonin leje për armë. Dy të dyshuarve pas procedurave intervistuese, me urdhër të prokurorit të rastit u është caktuar masa e ndalimit policor. Ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë për veprën penale ‘mbajtje në pronësi, posedim i paautorizuar i armës”, pati thënë Zaiti në 2018-ën për arrestimin e L.B.
Express nga burimet brenda Policisë së Kosovës mëson se L.B., ka dosje kriminale në Policinë e Kosovës dhe se mbi të rëndojnë disa akuza për vepra penale, teksa shoqëruesi i tij ka dosje të pastër në polici.
Lidhur me vrasjen e mbrëmshme detaje kanë dhënë zyrtarisht Policia e Kosovës. Sipas një njoftimi për media, të dyshuarit për vrasje janë identifikuar dhe janë në kërkim të policisë.
“Rreth orës 00:15, të datës 30 tetor 2021, policia në Mitrovicë, ka pranuar informacion se në rrugën ‘Artim Jashari’ pas një zënke-mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht viktima: A .M. 26 vjeçar, lëndimet dyshohet të i jenë shkaktuar me një mjet të mprehtë (thikë) nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë. I lënduari -viktima pas pranimit të ndihmës së parë në Spitalin Rajonal në Mitrovicë është transportuar në QKUK- ku si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”.
“Nga veprimeve të deritanishme hetimore, hetuesit policor kanë identifikuar identitetin e dy personave të dyshuar të cilët mbesin në kërkim policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të kapjes së të dyshuarve dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale Vrasje”, thuhet në njoftim. /Gazeta “Enigma“/