Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dega në Ferizaj e cila pretendonte se në rezultatin përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nuk figurojnë disa vota.
Kështu PZAP la në fuqi vendimin e KQZ-së për të parin e Komunës së Ferizaj, Agim Aliu.
“Refuzohet i pabazuar apeli Anr.722/2021 i datës 29.10.2021, i paraqitur nga subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK)-dega në Ferizaj, kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me nr. Protokoli 2858/2021 të datës 28.10..2021, përshkak të mospërputhjes së votave të kandidatit për kryetar komune-Ferizaj, për zgjedhjet lokale të datës 17.10.2021”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Në arsyetim e PZAP-ës thuhet se” Me datë 29.10.2021, PZAP ka pranuar apelin Anr.722/2021, nga përfaqësuesi i Subjektit Politik Partia Demokratikë e Kosovës dega në Ferizaj, me të cilin pretendon se duke u bazuar në rezultatin përfundimtar të publikuar nga KQZ, ka mospërputhje të rezultati preliminar, vota me kusht dhe me postë në rezultatin përfundimtar për kandidatin për kryetar të Komunës së Ferizaj, Agim Aliu nga radhët e PDK-së. Parashtruesi i apelit pretendon se në tabelën e votave të rezultatit preliminar të kandidati për kryetar të Komunës së Ferizaj, Agim Aliu nga PDK ka fituar 30.441 vota të rregullta, në publikimin e votave me kusht rezultojnë 477 vota, me postë 81 vota dhe në bazë të këtyre dëshmive rezultati për kandidatin në fjalë duhet të ishte 30.999 vota. Më tutje në apel theksohet se në rezultatin preliminar të KQZ-s publikohen 30.627 vota, kurse nga publikimet e KQZ- të sqaruara më lartë dalin 30.999 vota, ku sipas parashtruesit të apelit dëmi eventual që mund të shkaktohet rezulton në 372 vota më pak për kandidatin e tyre të komunës”.
Megjithëkëtë, në vendim thuhet se “Ankuesi nuk ka paraqitur asnjë provë tjetër pos kopjes së rezultatit preliminar nga faqja e KQZ-së dhe kopjen e rezultatit përfundimtar të shpallur nga KQZ-ja duke mos bashkangjitur as formularin e përputhjes së rezultateve, formularin e rezultateve të kandidatëve dhe formularin e rezultateve të dengut. Andaj në mungesë të provave paneli vendosi që apeli i paraqitur nga Subjekti Politik Partia Demokratike e Kosovës, lidhur me rezultatin e kandidatit për kryetar të Komunës së Ferizajt, Agim Aliut të refuzohet si e pabazuar.
Ndryshe, PZAP vlerëson se rezultati preliminar është proces i numërimit të votave dhe rrjedhimisht ky rezultat përderisa është proces mund edhe të ndryshoj, megjithatë si i tillë nuk cenon të drejtën e kandidatit pasi që nuk ka asnjë rezultat përfundimtar të votave dhe vetëm rezultati përfundimtar i shpallur mund të jetë i atakueshëm me apel.
Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor, Agim Aliu nga PDK ka marrë 30 mijë e 627 vota, apo 62,38 për qind.